Haxhiu thuajse i Dinamos, ngushtohet “rrethi” për pankinën fierake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2021 | 23:42

Haxhiu thuajse i Dinamos, ngushtohet “rrethi” për pankinën fierake

Romeo Harizaj dhe Rimal Haxhiu janë thuajse të Dinamos. Të dy futbollistët do të dalin në seancën e parë stërvitore të bluve, e parashikuar më 15 korrik. Marrëveshja mes dy skuadrave parashikon që Haxhiu të jetë i huazuar për një sezon, por me të drejtë blerjeje nga ana e dinamovitëve.

rimal haxhiu

Ai është një lojtar i linjës së djathtë në pjesën ofensive, por shpesh ka marrë detyra mbrojtëse te fierakët. I shpejtë dhe teknik, mori 2052 minuta nga 28 ndeshje me Apoloninë, pavarësisht dëmtimeve. Por, në një skuadër me aq kualitet si Dinamo, pritet shpërthimi i 22-vjeçarit.

“Ndoshta vjet mund të shihej me dyshim firma ime tek Apolonia, por ja që nuk ndodhi kështu. Me uljet dhe ngritjet e një kampionati si Superiorja dhe ato të miat për shkak dëmtimesh dhe kondicionit fizik, Apolonia më dha hapësirat dhe mundësitë e duhura në elitë, ndaj i mbetem shumë mirënjohës.

Këtë deklarim e bëj me shpirt pa ditur vendimin e klubit ndaj meje për sezonin e ri”, thotë Haxhiu, që kur i bëjmë me dije se klubi ka vendosur që maksimumi deri të mërkurën vishet blu, shprehet se e ka për nder të luajë me fanellën e Dinamos. “Unë jam me pushime, nuk kam dijeni për zhvillimet e fundit, më besoni.

E kam parë shpesh emrin tim në gazetë si pjesë të Dinamos, por nuk ka pasur asgjë konkrete dhe unë nuk kam dashur të flasë përpara vendimit të klubit. Si do të ndihem si lojtar i Dinamos? Do të jetë nder, privilegj dhe përgjegjësi të mbaj veshur një fanellë me aq trofe në historinë e futbollit shqiptar dhe unë sërish falënderoj klubin fierak, që ma mundëson këtë hap të rëndësishëm në karrierën time”, thotë për “Panorama Sport” Rimal Haxhiu, dinamoviti më i fundit i kësaj merkatoje verore.

PANKINA – Kërkohet një trajner për Apoloninë e Kategorisë së Parë. Delli Carri këmbëngul për një trajner nga Italia, por kontaktet e fundit kanë dështuar. Ndërkohë, gjithmonë ka një variant B për klubin fierak. Si zgjedhje e dytë, teksa patriotët e Delli Carri-t rrisin dita-ditës pretendimet dhe pazaret, kandidatë nga ekipet e moshave dhe më “i kuotuari” nga ekipet e fundit të Serisë C në Itali, shfaqen dy trajnerë, që Shqipërinë dhe futbollin shqiptar e njohin mirë:

Mladen Milinkoviç, ish-trajner i Luftëtarit dhe Kukësit, dhe Veljko Dovedan, ish-trajner i Bylisit. Të dy të gatshëm për të marrë përsipër drejtimin e Apolonisë këtë sezon, por “zari” mbetet në dorën e krerëve të klubit fierak.

Gjithsesi, nëse dështojnë të gjitha tratativat me opsionin “trajner i huaj”, burime të sigurta dhe konfidenciale nga klubi fierak bëjnë me dije se është piketuar edhe emri i trajnerit shqiptar, të cilit do t’i ofrohet pankina e Apolonisë. Për momentin identiteti i tij mbahet sekret dhe ekziston një dilemë e vogël mes një “ish”-i dhe një trajneri me shumë emër në futbollin shqiptar, ky i fundit edhe me disa trofe të fituar.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"