Hasi, lamtumirë Anderlehtit. Negocion me Gallatasarajin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2016 | 11:39

Hasi, lamtumirë Anderlehtit. Negocion me Gallatasarajin

Besnik Hasi i ka dhënë dje lamtumirën Anderlehtit. Vendimi për prishjen me mirëkuptim të kontratës së trajnerit shqiptar me klubin belg është zyrtarizuar në natën e së enjtes.

Besnik Hasi

“Kjo është lamtumira tipike e rregullave të ashpra të futbollit”, tha drejtori sportiv i Anderlehtit, Herman Van Holsbek. “Klubi i uron Hasit suksese në vazhdimësinë e karrierës së tij. Ne të gjithë këtu jemi të bindur se ai do të ketë përpara një karrierë të ndritur si trajner, ka gjithçka që i nevojitet për t’u bërë një trajner i madh”.

Edhe Hasi falënderoi klubin për të gjithë vitet e kaluara me të. “Kam kaluar 14 vite të bukura me këtë fanellë si lojtar, asistent-trajner dhe trajner i parë. Ky klub do të jetë gjithmonë në zemrën time. Dua të falënderoj presidentin dhe bordin për mundësinë që më kanë dhënë. Gjithashtu, dua të falënderoj bashkëpunëtorët e mi, i jam mirënjohës për përkushtimin”, tha 44-vjeçari.

Edhe pse mediat belge raportojnë se familja e Hasit do të preferonte që ai të vazhdonte karrierën në Belgjikë, vetë trajneri po negocion me klubet turke. Ai ka rifilluar gjatë ditëve të fundit bisedimet me Gallatasarajin, pasi drejtuesit e klubit turk mendojnë se ai është personi më i përshtatshëm për të rikthyer këtë skuadër në nivelet e zakonshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"