Hasani humb derbin, ndryshime në 11-shen e Tiranës. Ja si pritet formacioni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 19:13

Hasani humb derbin, ndryshime në 11-shen e Tiranës. Ja si pritet formacioni

Edon Hasani humbet derbin me Partizanin. Dëmtimi i pësuar në ligamentin e gjurit, gjatë pjesës së parë të takimit me Kukësin, ka rezultuar fatal për shkodranin që nuk luan pas pesë ndeshjesh takimin me Partizanin. 

edon hasani

Mjekët e skuadrës së Tiranës kanë konfirmuar dje se mesfushori golashënues i bardhebluve humbet Partizanin, duke qenë kështu mungesë shumë e madhe për ekipin 25 herë kampion. Me saktësi, Hasani nuk dihet sa do të mungojë, por gjasat janë që ai të pushojë edhe për takimet e tjera, pasi dëmtimi është pak delikat dhe gjuri nuk mund të riaftësohet aq shpejt. Optimizëm te Tirana ka për Uinful Kobinën.

Mesfushori i krahut të djathtë ka nisur dje vrapimet rreth fushës dhe mjekët janë besimplotë se Kobina do të jetë i gatshëm për ndeshjen derbi. Dëmtimi në rrëzët e kofshëve nuk është nga ata alarmues. Edhe Tefik Osmani mund të riaftësohet momentin e fundit. Mbrojtësi, veç vrapimeve, dje nisi punën me top. Sot dhe nesër do të shihet nëse lojtari do të jetë i gatshëm për sfidën me të kuqtë.

STËRVITJA – Me mungesën e tre të dëmtuarve të fundit dhe Dungës, Emanuel Egbo punoi gjatë me skuadrën. Si fillim u bënë ushtrimet e zakonshme fizike. Më pas u punua në kuadrat dhe para se të arrihej te taktika, Egbo kishte menduar për aksione të kronometruara ku ekipi ishte i përzier pa shenja titullarësh.

FORMACIONI – Në derbi priten ndryshime të mëdha te formacioni i Tiranës. Me mungesa, për shkak dëmtimesh, pezullimesh dhe dëshirash të trajnerit të ri, disa lojtarë do të shohin stolin. Edhe pse duhet të qartësohet situata e dyshes Osmani-Kobina, Egbo ka bërë një minirevolucion në ekip. Jashtë, emra me peshë që kanë luajtur titullarë këto kohë. Rikthime në fushë, por edhe ndryshim pozicionesh.

fa

E sigurt është që nuk do të luajnë Hasani, Dunga e Kale dhe duke parë lëvizjet e tjera, skuadra do të rreshtohet në një 4- 3-3 klasik. Në portë i zakonshmi Ilion Lika. Para tij rreshtohen në mbrojtje, Kërçiku, Imami, Muça dhe Hoxhallari që kthehet majtas. Në mesfushë dyshja e konsoliduar Batha-Çelhaka nuk ndryshon. Para tyre si sulmues i fshehur Agustin Torasa, nga krahët Halili dhe Doka, ndërsa qendërsulmues, Majkëll Ngo. Gjithsesi, 11-shja pritet të shihet sot, sepse kthimet e Kobinës e Osmanit mund të lëvizin sërish formacionin antiPartizani. Bardheblutë kërkojnë me çdo kusht që të mos humbasin në derbi, për t’iu rikthyer rezultateve pozitive që mungojnë prej dy javësh te Tirana.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"