Hasanbelli “kyç” portën në Pukë, Dalipi pret vetëm 3 pikë ndaj Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 16:02

Hasanbelli “kyç” portën në Pukë, Dalipi pret vetëm 3 pikë ndaj Egnatias

Rrogozhinasit e kanë harruar barazimin me Veleçikun dhe sot mund ta shlyejnë atë gabim me një rezultat pozitiv ndaj Tërbunit. Portieri Klevis Hasanbelli, një pikë e fortë e Egnatias, për “Panorama Sport” thotë: “Tërbuni për ne është përballja e fundit jashtë fushe dhe e kemi vlerësuar maksimalisht.

Hasanbelli

Nuk mendojmë se me pikët që kemi qëndrimi është i sigurt, duhet kujdes deri javën e fundit. I kemi mundësitë për të treguar vlerat tona ndaj pukjanëve.

Egnatia

Paraqitjet tona në transferta kanë qenë për t’u vlerësuar dhe besoj se do t’ia dalim edhe në Pukë. Tifozëve u jemi borxhlinj. Kemi bërë tre hapa falsë dhe s’mund të gabojmë. Shpresoj të mos pësoj gol ndaj Tërbunit”. / ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

Dalipi vlerëson Egnatian, pret vetëm 3 pikët

Tërbuni mbylli dje stërvitjen në kryeqytet dhe u nis drejt Pukës, ku sot përballet me Egnatias në “Ismail Xhemali”. Një takim që pritet me interes për vetë rëndësinë e objektivit të qëndrimit në të Parën. Trajneri Dalipi ka dy mungesa, Mezinin dhe Hasën, por kthehet Hyseni.

terbuni

“Kemi pasur dy javë kohë të përgatitemi për këtë ndeshje. Na ka dhënë frymëmarrje kjo kohë dhe besoj se lojtarët e kanë marrë ngarkesën. Tërbuni patjetër duhet të marrë 3 pikët. Kemi respekt për Egnatian, që nuk duhet nënvlerësuar, aq më tepër që ka nevojë për pikë, si ne. Barazimi nuk na bën punë.

Terbuni

Javët e fundit ekipi është rritur dhe besoj se do t’i fitojmë 3 ndeshjet që kanë mbetur. Pavarësisht mungesave, mendoj se e kemi grupin për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Dua të luajmë si me Veleçikun dhe të fitojmë”, tha për gazetën trajneri Dalipi. / DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"