“Harrojeni ‘blofin’, e mundim Lushnjën”, Mërgjyshin: Jemi gati dhe të plotë, më mirë që luajmë ne të parët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 11:46

“Harrojeni ‘blofin’, e mundim Lushnjën”, Mërgjyshin: Jemi gati dhe të plotë, më mirë që luajmë ne të parët

Besa është gati për të rinisur sezonin. Pas pushimeve të stërzgjatura, pikërisht sot do të rikthehen në fushë. Përballë në Pezë-Helmës do të kenë Lushnjën, kundërshtar që i ndjek këmba-këmbës. Gabimet në radhët e verdhezinjve janë të ndaluara, gjë që e pohon edhe vetë Artan Mërgjyshi. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” numri një i pankinës skanon ekipin në prag të javës së 10-të dhe konfirmon në formacion dy blerjet më të reja, Kevin Nunjes dhe Erald Hysenin. Vlerëson lushnjarët, por fitoren e sheh si alternativën e vetme në misionin “Superiore”. Rinis më në fund kampionati.
Mergjyshi Besa
Është gati Besa për të sfiduar Lushnjën?
Për fatin tonë të mirë, nuk kemi asnjë futbollist të dëmtuar apo të dënuar, që do të thotë se grupin do ta kem në dispozicion të plotë. Kemi zhvilluar disa miqësore nga të cilat kam marrë mesazhe pozitive, ndaj pa frikë mund ta them: Jemi gati për ta rifilluar garën. Jam optimist për gjendjen që gëzon ekipi.

A ju penalzion fakti që rivalët luajnë një ditë pas jush?
Kjo nuk ndikon aspak. Fundja, dikush duhet të luajë i pari. Themelore mbetet puna jonë dhe rezultatet tona. Ne nuk kemi parë dhe nuk jemi marrë asnjëherë me atë çka bëjnë të tjerët.
lushnjaa
Përballë do të keni Lushnjën që fazën e parë ju shkaktoi humbje…
Po. Kjo është e vërtetë aq sa është po e vërtetë që në miqësoret që zhvilluam gjatë ndërprerjes së kampionatit fituam ne. Por, sigurisht që në kampionat është tjetër gjë dhe ne jemi përgatitur për këtë. Lushnja mbetet ndër rivalët tanë jo vetëm këtë sezon, por vazhdimisht. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë përballje.

Që do të thotë?
Që do të thotë se do të hyjmë në fushën e lojës me një synim të vetëm, fitoren. Gëzojmë një gjendje optimale dhe këtë do ta demonstrojmë në fushë. Pres nga ekipi të startojmë me fitore fazën e dytë.

Kevinin dhe Hysenin i keni llogaritur si titullarë?
Janë gati për debutim, ndaj mund ta konfirmoj se do të jenë pjesë e formacionit.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"