Harrohet humbja, Kamza luftë në dy fronte. Ekipi i Duros me sytë nga… Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 16:30

Harrohet humbja, Kamza luftë në dy fronte. Ekipi i Duros me sytë nga… Laçi

Humbjet nuk kanë kurrë shije të mirë, e megjithatë te Kamza diçka “fituan” përballë Kukësit. Edhe pse skuadra doli duarbosh nga “Loro Boriçi”, trajneri Klodian Duro evidentoi se paraqitja ishte relativisht e kënaqshme. Gjithsesi, kohë për të “qarë” pikët e lëna nuk ka, ndaj kamzalinjtë kanë filluar të mendojnë seriozisht për ndeshjen e radhës.

kamza

Duket se Kupa e Shqipërisë nuk është një kompeticion sa për të “mbushur” javën për ekipin, përkundrazi ata po bëjnë llogaritë për të shkuar larg. Pikërisht nesër do të presin Besën në shtëpi, takim që do të zhvillohet në Qendrën Kombëtare Stërvitore. Kërkohet kualifikimi dhe fitorja 2-0 në Kavajë u jep shpesë. Por Kupa nuk i ka shpërqendruar nga kampionati, e sidomos kur të shtunën do të presin Laçin në stadiumin “Kamza”.

Ndaj kurbinasve do të jetë e vështirë, megjithatë duket se kthesa është kthyer në domosdoshmëri për t’i qëndruar sa më larg zonës së ftohtë. Kështu që është e detyruar të mos hedhë më hapa fals dhe për këtë skuadra do të nisë stërvitjet për të dyja frontet. Lojtarët që kanë luajtur në Shkodër kundër Kukësit, trajneri i ka lënë pushim për të rifituar energjitë e humbura.

Por e njëjta gjë nuk ndodhi me të tjerët, atë kanë vijuar stërvitjet me ritëm të plotë. Klodian Duro mund të alternojë këtë javë me formacionet, duke u dhënë hapësirë edhe lojtarëve që nuk kanë pasur minuta në dispozicion. Trajneri do që të shmangë surprizat e pakëndshme, ndaj nuk do të kursejë edhe ndonjë titullar në 11-she kundër kavajasve. Gjithsesi, sot pritet që të vendoset gjithçka rreth rreshtimit që do të ketë ekipi në Kupë, por edhe kampionat.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"