Harmonia mes reparteve, forca e Egnatias së Tetovës/ Skuadra e bërë rishtazi po përshtatet me filozofinë ndryshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 22:37

Harmonia mes reparteve, forca e Egnatias së Tetovës/ Skuadra e bërë rishtazi po përshtatet me filozofinë ndryshe

Egnatia ishte tjetër skuadër në sezonin e shkuar, ku natyrisht kishte disa pika të forta për t’u referuar, ama ka ndryshuar thuajse totalisht gjatë këtij sezoni të ri. Dallon në këtë kompozim me ide të tjera, të reja dhe të avancuara, thelbi e filozofia e mbështetur fort te funksionimi siç duhet i harmonisë mes reparteve.

EGNATIA (1)

Që në fazën përgatitore, afro njëmujore, zhvilluar në kushte ideale në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por dhe në ndeshjet miqësore të luajtura atje dhe në Pogradec, u hodhën bazat e shëndetshme të një pune të mbështetur fort tek impenjimi e serioziteti i gjithsecilit prej futbollistëve. Ndërsa vlen të theksohet se organika e tanishme, përveç asaj pjese, e cila quhet grupi i titullarëve, që përbën atë që quhet bosht i skuadrës, tanimë ka edhe plot alternativa të tjera.

Çka i kanë dhënë ritëm e freski lojës e rezultateve, ndonëse pa u nxituar, duhet thënë se është vetëm fillimi e këto 4 javë nuk kanë treguar akoma aftësitë më të mira që posedon Egnatia këtë sezon. Porta konsiderohet e blinduar me ardhjen e shkodranit Alen Sherri, si dhe punën e portierit kavajas, Bruno Puja, që vjet dha kontribut të madh.

Janë vlerësuar shumë pozitivisht. Madje, rritja e sigurisë në portë në 4 javët e para, ku ka luajtur vetëm Sherri, ka nisur të mbushë me besim skuadrën, e cila një nga komponentët e prapavijës, që është porta, e sheh se po funksionon ashtu siç duhet. Mbrojtja, nga Fangaj djathtas, qendër Atanda, Malota e Kacbufi, apo Musta majtas, sikurse Zejnullahu që qëndron vetëm një hap para mbrojtësve, kanë formuar një grup të mirë dhe kontribute të çmuara.

Mesfusha është bërë thuajse nga fillimi, me lojtarë interesantë si Fernando, Lila, Hamzat, Mihana, Hyseni e Selita kanë freskuar ndjeshëm përmbajtjen e lojës. Ditët e fundit është rikthyer edhe një lojtar tjetër potencial, Akbekpornu. Sa i përket sulmit, kongolezi Dzon Delarzh dhe shqiptari nga Mali i Zi, Ilir Camaj, me golat e tyre kanë treguar aftësitë që posedojnë. Janë edhe sulmues të tjerë që pritet të shërbejnë me dublime të rëndësishme vendesh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"