Hapja e sallave, presidenti i Federatës së Volejbollit: Së shpejti do të kemi një datë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2020 | 21:51

Hapja e sallave, presidenti i Federatës së Volejbollit: Së shpejti do të kemi një datë

Që prej muajit mars lojërat me dorë në vend vijojnë të jenë të pezulluara nga qeveria, për shkak të situatës së krijuar me virusin “COVID19”. Por, pas një kohe, më në fund, pritet që së shpejti të vijë edhe leja për aktivitete sportive. Këtë e konfirmon edhe Erlind Pëllumbi, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i sportit të rrjetës bën me dije se sinjalet janë pozitive dhe së shpejti pritet të caktohet edhe data e saktë për rikthimin në parket. Pëllumbi thekson se volejbolli po e pret me padurim rifillimin. Ai gjithashtu komenton shkurtimisht edhe vendimin e klubeve të futbollit për bojkot, si dhe ligjin e sponsorizimit, që ka hapur shumë debate së fundmi.
erlind pellumbi
Duke e nisur nga më e rëndësishmja, çfarë po ndodh me kërkesën që FSHV u ka bërë organeve kompetente për lejimin e aktiviteteve në salla të mbyllura?
Nga korrespondenca që kemi pasur me task-forcën dhe ministren, mund t’ju them që shumë shpejt do të kemi një datë konkrete për rifillimin e aktiviteteve. Ende nuk e kemi datën e saktë, por sinjalet janë pozitive dhe së shpejti sporti do të rifillojë. Megjithatë, unë vazhdoj të mendoj që volejbolli nuk kishte pse futej në këtë vorbull, sepse nuk është sport që krijon rrezikshmëri në përhapjen e virusit, pasi bëhet fjalë për një lojë ku lojtarët qëndrojnë të distancuar.

Si po e pret sporti i rrjetës rikthimin në fushë?
Besoj që po e pret me emocione dhe me padurim, pasi u bë një kohë e gjatë dhe sporti e ka të vështirë të qëndrojë kaq shumë pushim. Megjithatë, të shpresojmë që do të fillojmë dhe mos të kemi ndonjë situatë tjetër.
volejboll meshkuj
Si e shikoni volejbollin shqiptar “post-COVID”?
Siç e thashë, kjo ndërprerje e gjatë ka anomalitë e veta. Besoj që do të na duhet pak kohë për t’u kthyer në nivelin që kishim para ndërprerjes. Nuk është një situatë e lehtë, pasi ka krijuar panik dhe frikë te të gjithë, ndonëse nga komuniteti i volejbollit me informacionet që kemi, nuk ka pasur ndonjë rast pozitiv me “COVID”.

Jemi para një situate paradoksale, me futbollin që vendos për bojkot, ndërsa volejbolli pret me padurim të zbresë në parket, ndonëse bëhet fjalë për një sport shumë herë më të varfër…
Nuk mendoj që ka vend për krahasim, por personalisht nuk do të isha pro bojkotit që ka ndodhur, sepse sporti duhet të jetë frymëzues dhe jo bojkotues. Ligjet bëhen në bashkëpunim për të gjitha sportet në tërësi dhe kur të flasim për sportin, nuk duhet të fokusohemi vetëm te futbolli, por te të gjitha sportet e tjera, ku nuk duhet të anashkalojmë asnjë sportist që derdh djersë për punën pasionin apo kënaqësinë e tij. Kështu që, unë jam kundër bojkotit dhe pro një bashkimi të të gjitha sporteve, në mënyrë që të bëjmë gjërat e duhura. Sigurisht që është e pamjaftueshme ajo çka është bërë dhe gjithmonë ka vend për më mirë.

Një koment për formulën e re të ligjit të sponsorizimit?
Që është më mirë se më parë kjo nuk diskutohet, kështu që çdo gjë e përmirësuar duhet parë me optimizëm. Sigurisht ka vend për të rregulluar dhe për të debatuar, por mendoj që është bërë një hap përpara.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"