Hapet “thesi” te skuadra e Kategorisë së Parë, drejtuesit akordojnë shumën e majme për ngjitjen në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2022 | 14:27

Hapet “thesi” te skuadra e Kategorisë së Parë, drejtuesit akordojnë shumën e majme për ngjitjen në Superiore

Korabi kaloi një tjetër pengesë dhe tashmë është vetëm një ndeshje larg elitës. Likuiduan Tomorin dhe Apoloninë në fazën “play off” dhe më 31 maj do të diskutojnë ngjitjen me Egnatian. Skuadra do të nisë sot përgatitjet për finalen e madhe, ndërsa dje pushoi dhe shijoi suksesin.

KORABI 1

E megjithatë, festa e vërtetë ishte direkt pas fitores 3-2 me fierakët në “Niko Dovana”. Kryebashkiaku Rrahim Spahiu gjatë rrugës për në kryeqytet, ka shtruar një koktej për ekipin.

Po nuk e ka lënë me kaq, ai u ka premtuar shpërblim. Nëse dibranët do të mposhtin rrogozhinasit në “Egnatia Arena”, do të akordojë 10 milionë lekë të vjetër. Drejtori sportiv pret edhe një mrekulli të fundit nga skuadra. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, Fehmi Mëziu thotë:

“Arritëm objektivin dhe prekëm finalen e madhe të ‘play off’-it. Tani shpresoj që të ndodhë mrekullia dhe presim ‘biletën’ e tretë që të çon në ‘Abissnet Superiore’.

Në këtë sukses kanë meritë të gjithë, duke filluar që nga ish-trajneri Mërgjyshi, e për të kaluar se stafi dhe drejtuesi aktual apo mjeku i ekipit dhe dy punëtorët e fushës që kanë qenë gjithmonë në gatishmëri.

Skuadra pas fitores ndaj Apolonisë është lënë pushim dhe nesër (sot) do të vazhdojë stërvitjen normalisht. Nga e enjtja mendojmë të shkojmë në Peshkopi, për t’u kthyer të hënën.

Kur të zbarkojmë në qytetin tonë, do të bëjmë edhe një analizë të shkurtër. I pranishëm do të jetë edhe kryebashkiaku, që na ka qëndruar pranë dhe mbështetur”.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"