“Hapet thesi” për Elbasanin, drejtuesit e rinj japin edhe rrogën e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 12:46

“Hapet thesi” për Elbasanin, drejtuesit e rinj japin edhe rrogën e dytë

Elbasani po vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes me Tepelenën në fundjavë, me synimin e vetëm për të dalë me tri pikë nga kjo përballje. Duket sikur në Elbasan janë rregulluar përfundimisht çështjet financiare të klubit, pasi pronari i ri i klubit ka nisur likuidimin e lojtarëve për sa u përket pagesave, duke u dhënë edhe një tjetër rrogë, pas asaj të shpërndarë përpara ndeshjes me Devollin.

Elbasani

Ndaj, duke parë se tanimë problemet artificiale dhe jashtë fushës duket sikur janë mbyllur një herë e përgjithmonë në kampin verdheblu, lipset që të merren pikët e nevojshme për të synuar ringritjen në Kategorinë e Parë.

Që objektivi i fazës së parë të konsiderohet i përmbushur, verdheblutë duhet që të marrin nëntë pikë në tri sfidat e mbetura, por fillimisht duhet të kalohet pengesa e Tepelenës, një ndeshje jo shumë e lehtë.

penalltia elbasanit

TRAJNERI

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i skuadrës së Elbasanit, Eriol Merxha, shprehet se tani skuadrës më shumë se kurrë i duhen pikët. Për këtë arsye, ai shpreson që do të dalin me tri pikë nga transferta tepelenase, e cila konsiderohet një ndeshje delikate dhe e rëndësishme për sa i përket ecurisë.

Merxha Erjol

“Kemi pasur dy javë kohë për t’u përgatitur rreth ndeshjes me Tepelenën dhe tani më shumë se kurrë na duhen pikët. Përpara do të kemi një përballje të vështirë, siç dhe janë realisht të gjitha takimet e kësaj kategorie, me synimin e vetëm për të dalë me një fitore. Është shumë e rëndësishme që të jemi në krye të klasifikimit dhe, për këtë arsye, duhet që të mos gabojmë rrugës.

Gjithsesi, unë e kam thënë që do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe duhet të japim gjithnjë maksimumin nëse duam të arrijmë objektivat në fund të sezonit”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën tekniku elbasanas.

Verdheblutë aktualisht janë në vendin e dytë me pikë të barabarta me Albpetrolin, dy më pak sesa Orikumi i vendit të parë. Synimi i këtij sezoni është ngjitja në Kategorinë e Parë. Për herë të parë, skuadra zbriti kaq poshtë duke përfunduar në Kategorinë e Dytë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"