“Hansi Flik, arkitekti i këtij Bajerni perfekt”, Lotar Mateus: Dortmundi do të luftojë për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2020 | 15:11

“Hansi Flik, arkitekti i këtij Bajerni perfekt”, Lotar Mateus: Dortmundi do të luftojë për titullin

Ishte viti më i mirë në historinë e 120-viteve te Bajerni. Skuadra rekordmene në Bundesligë fitoi 42 nga 48 ndeshjet ashtu si dhe të gjithë trofetë që ishin në dispozicion. Ish-kapiteni i bavarezëve, Lotar Mateus tregoi për “Bild” sekretin e suksesit te kampionët ashtu si dhe skuadrën që e ka zhgënjyer më shumë në këtë sezon. “Në syrin tim, ky sukses i Bajernit ka ardhur vetëm si pasojë e një arsyeje, ajo është harmonia në skuadër. Urtësia me të cilën Flik komunikon me lojtarët ka sjellë shumë qetësi në klub. Hansi ka bërë një punë të madhe jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj. Trofetë janë vetëm maja e ajsbergut në klubin bavarez. Poshtë tij është një vit me shumë punë, sakrificë dhe përkushtim”, tha Mateus.
Mateus
Ish-lojtari me më shumë ndeshje me kombëtaren gjermane tregoi se do të kishte dashur që Flik të ishte shpallur trajneri më i mirë, përkrah Manuel Nojerit dhe Robert Levandovskit. “Pas pesë trofeve dhe shumë rekordeve të tjera të vendosura nga Hansi, mendoj që do të ishte më se e drejtë që ai të shpallej më i miri, ashtu si Klop. Për mua ai është aktualisht trajneri më i mirë në Botë”. Mateus vazhdoi analizën e tij duke theksuar se Flik menaxhoi shumë mirë edhe situatën me lojtarët që ishin në skadencë kontrate. “Ai (Flik)bëri një punë të madhe edhe me menaxhimin e lojtarëve. Alaba, Boateng dhe Nojer ishin në prag rinovimi por këto nuk ndikuan në rendimentin e tyre në fushën e lojës. Nëse Hansi do të vazhdojë të tregojë këtë mënyrë drejtimi, jam i sigurt që Bajerni do të vazhdojë të dominojë në Bundesligë”.
DORTMUND
SHALKE DHE DORTMUNDI ZGHËNJEJNË
Mateus priste më shumë nga Borusia e Dortmundit dhe Shalke 04. Verdhezinjtë edhe pse me lojtarë të jashtëzakonshëm, nuk kanë arritur të jenë në vendet e para të tabelës. “Nuk e kuptoj formën e Borusias. Kur i sheh në letër mendon, ata mund të mundin këdo në kampionat. Por ka ndodhur e kundërta. Largimi i Favresë ka lënë një boshllëk të madh në skuadër, edhe pse me të në stol, gjërat nuk po shkonin mirë. Gjithsesi besoj se në fund, Borusia do të jetë aty duke luftuar për titullin kampionët. Shalke? Rrezikojnë rënien. Shpresoj që ardhja e trajnerit të ri të sjellë ndryshim pozitiv tek ata”, përfundoi Mateus.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"