Hamilton nuk dorëzohet, piloti britanik zbulon kartat: Dua titullin e tetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2022 | 17:29

Hamilton nuk dorëzohet, piloti britanik zbulon kartat: Dua titullin e tetë

Ekzaktësisht një vit pas fitores jubilare, të garës së 100-të në Formula 1, Luis Hamilton rrëfen se si po e përjeton këtë sezon anormal, ku pas shumë vitesh nuk është në gjendje për të luftuar për titullin kampion. Piloti britanik është prononcuar në specialen që “Sky Sport F1” i ka kushtuar me titullin “Sir Luis Hamilton”, e transmetuar ditën e djeshme.

hamilton

Piloti i Mercedesit ka folur gjithashtu edhe për rivalitetin me Maks Vershtapenin. 37-vjeçari gjithashtu ka rrëfyer edhe objektivin, që sigurisht mbetet titulli i tetë kampion bote, që do ta bënte pilotin më fitues në historinë e Formulës 1, duke u shkëputur nga legjenda Majkëll Shumaker, me të cilin ndan rekordin me nga shtatë tituj.

“Titulli i tetë botëror në F1 nuk është një fiksim, por sigurisht që qëndron në qendër të mendimeve të mia dhe po punoj për ta realizuar si objektiv – shpjegon Hamilton gjatë intervistës -. Mbetet në majë të piramidës dhe puna e bërë gjatë këtij viti ka synim që të arrij, atje lart, në majë”, shprehet britaniku, i cili më tej flet për rivalin Maks Vershtapen, një kundërshtar që i rrëmbeu titullin nga duart në xhiron e fundit të garës finale gjatë sezonit të kaluar.

“Nuk ka asgjë pezull midis nesh, Maks ka bërë punën e tij një sezon më parë dhe nuk kam asnjë problem me të. Kemi disa vite diferencë dhe me shumë mundësi që jashtë piste nuk ka pasur respekt reciprok ndërmjet nesh. Por kjo mund të ndodhë, gjithsesi nuk kemi inate”, ka deklaruar Luis Hamilton, shtatë herë kampion i botës në Formula 1.

Siç e thamë ky sezon po rezulton mjaft i vështirë për pilotin e Mercedesit, i cili renditet në vend të gjashtë në klasifikimin e pilotëve, duke mos fituar asnjë garë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"