Hamilton në histori/ Britaniku barazon Shumakerin dhe “prek” titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2020 | 17:30

Hamilton në histori/ Britaniku barazon Shumakerin dhe “prek” titullin

Luis Hamilton ka sh kruar një tjetër faqe në historinë e Formulës 1, pasi dje në Çmimin e Madh të Gjermanisë regjistroi fitoren numër 91 në Botëror, duke barazuar kështu rekordin e Majkëll Shumakerit dhe tashmë sheh drejt titullit të shtatë kampion që do ta barazonte sërish me rekordin e ish-pilotit të Ferrarit. Britaniku dhuroi një paraqitje të shkëlqyer në garën e djeshme të zhvilluar në Nurburgring, ndërsa një vend në podium siguruan gjithashtu Maks Vershtapen dhe Daniel Riçardo.

Hamilton

Ferrari regjistroi një tjetër të diel për t’u harruar, teksa nuk shkoi më shumë se vendi i shtatë me pilotin Sharl Lëklerk, ndërsa Sebastian Fetel e mbylli garën i 11-ti. Zhgënjim edhe për Valteri Botas, i cili ndonëse u nis nga “pole position”, ngriti flamurin e bardhë për shkak të një problemi në motorin e makinës së tij Mercedes.

Fitorja e shtatë sezonale për Luis Hamiltonin ngjan me shumë suksese të tjera të britanikut gjatë këtyre viteve, por sigurisht që triumfi në Nurburgring do të gdhendet me germa të arta në historinë e Formulës 1. Është fitorja e 91-të, e cila erdhi pikërisht në shtëpinë e legjendës Majkëll Shumaker, në një pistë ku ish-piloti gjerman ka fituar plot 5 herë gjatë fillimit të viteve 2000.

Tashmë “mbretin” britanik dhe Shumin i bashkon një numër i njëjtë suksesesh në kategorinë e lartë të automobilizmit. Hamilton arriti që të shkruajë historinë në një të diel që nuk niste në mënyrën më të mirë për të, pasi duhej të ndiqte kolegun e skuadrës, që startonte nga “pole” dhe që dy javë më parë ia kishte mohuar rekordin në Rusi. Por, Botas u dorëzua rreth çerekut të garës, teksa u tërhoq në xhiron e 19-të për shkak të një problemi në motor.

Hamilton-mercedesContract-539631

Më pas gara nuk kishte më histori, pasi Hamilton nuk e kishte aspak të vështirë të mbante pas Maks Vershtapenin. Madje, as në rastin kur distancat u zeruan për shkak të futjes në pistë të makinës së sigurisë. Megjithatë, edhe pse nuk pati mundësi të luftonte për fitoren, Maks Vershtapen siguroi vendin e dytë e tashmë qëndron vetëm 14 pikë larg në renditje nga Botas. Vendi i tretë shkoi për Daniel Riçardon, i cili u rikthye në podium pas dy vitesh e gjysmë mungesë. Australiani i Renault ia doli që ta ruajë pozicionin, ndonëse në fund u sulmua nga Serxho Perez.

Ferrari vijon të zhgënjejë dhe lavdinë nuk e gjeti as në Nurburgring. Lëklerk, edhe pse startoi nga vija e dytë, u pa në vështirësi në xhirot e para. Më pas gjeti një ritëm të mirë, por jo aq sa të luftojë për kreun, duke u renditur në fund i shtati. Ndërkohë, Sebastian Fetel e mbylli i 11-ti garën, në të njëjtin pozicion nga ku startoi. Gjermani vazhdon me paraqitjet e tij të dobëta dhe nuk po arrin që t’i dhurojë asnjë gëzim “Kokëkuqes” në sezonin e tij të fundit. Më 25 tetor në Portugali do të mbahet etapa e 12 sezonale e Formulës 1.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"