Halli për sulmin, zbulohet kërkesa e trajnerit Gega për numrat “9”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2018 | 21:48

Halli për sulmin, zbulohet kërkesa e trajnerit Gega për numrat “9”

Trajneri Skënder Gega po mundohet të ndërtojë një Partizan të disiplinuar dhe ua ka bërë të qartë lojtarëve se luan, kush bind në stërvitje. Të kuqtë kanë bërë disa përforcime, por edhe pas ndeshjes me Mariborin, Gega pohoi se ekipi ka nevojë për përmirësime.

skender gega

Përforcimet priten në mesfushë dhe në sulm. Nisur nga përbërja dhe emrat, sulmi i Partizanit ka dy lojtarë me eksperiencë, si Edgar Çani dhe Stefan Nikoliç, por halli mbetet. Për momentin, asnjëri prej tyre nuk i plotëson shijet e trajnerit, i cili ua ka bërë të qartë se çfarë kërkon nga ata. “Panorama Sport” ka mësuar se gjatë minifazës në Ohër, trajneri Gega i ka marrë në pyetje një e nga një të gjithë lojtarët.

Pasi i ka dëgjuar për kërkesat e tyre, u ka bërë të qartë organizimin dhe planin e tij të punës në drejtimin e ekipit. Pjesë e këtij bashkëbisedimi ka qenë edhe Edgar Çani. Mësohet se trajneri i ka kërkuar lojtarit që të jetë më i angazhuar dhe aktiv në stërvitje dhe të përmirësojë parametrat fizikë. Gega kërkon regjim dhe angazhim maksimal nga lojtarët në stërvitje dhe ua ka bërë të qartë se për ndërtimin e formacionit nuk do të niset nga emrat, apo e shkuara, por nga angazhimi në stërvitje dhe zbatimi i detyrave në ndeshje.

nikolic partizani

Trajneri ia ka bërë të qartë edhe Çanit se nuk mund të luajë pa kapur formën optimale dhe për këtë arsye ai mbeti jashtë listës së federimeve për dy sfidat me Mariborin. Nëse Çani arrin parametrat, trajneri e mirëpret krahëhapur, në të kundërt, do të përfundojë në tribunë. Trajneri ka biseduar edhe me Stefan Nikoliç, i cili erdhi te “demat” pas një të shkuare problematike, pasi ka abuzuar me alkoolin dhe stilin e jetesës.

Mësohet se gjatë bisedës që ka pasur me malazezin, mes të tjerash, trajneri Gega i ka pohuar sulmuesit: “Nuk më intereson ajo që ke bërë në të shkuarën dhe nuk bazohem nga ato që thuhen e shkruhen për ty. Për mua ka rëndësi të jesh i rregullt në stërvitje dhe në ndeshje dhe të angazhohesh maksimalisht”. Pra, Gegës i intereson e tashmja e sulmuesit malazez dhe jo bëmat e Nikoliçit dhe ia ka bërë të qartë se do të jetë titullar vetëm nëse gëzon formën optimale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"