Halle pa fund për Elbasanin, verdheblutë mbeten në ajër për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 19:00

Halle pa fund për Elbasanin, verdheblutë mbeten në ajër për…

Hallet për Elbasanin nuk kanë të sosur. Përpos problemeve që kanë brenda në skuadër, tashmë duhet të bëjnë llogaritë edhe për stadiumin. Një ekip i mbushur kryesisht me futbollistë të rinj dhe vijnë pas rezultateve të dobëta, tani duhet të merren edhe me mungesën e fushës.

elbasani

Fitorja në Orikum u pa si një ogur i mirë për elbasanasit, jo vetëm për faktin që morën tri pikët e para, por edhe për shkak të kalendarit. Ashtu menduan, por e kundërta ngjau. Si përfundim, pikërisht kalendari iu kthye kundra, për shkak edhe të “Elbasan Arena”-s. Verdheblutë kishin në program dy ndeshje shtëpie, me Pogradecin dhe me Lushnjën. Mirëpo, me pogradecarët u degdisën në Peqin (për shkak se stadiumit të Elbasanit i është hedhur fara e barit dhe nuk mund të luanin aty). Sikundër edhe dihet, verdheblutë dolën të mundur nga fusha me rezultatin 2-3. Por makthi vazhdon, pasi gjasat janë, për të mos thënë që është e sigurt, se edhe ndaj Lushnjës do të “migrojnë”.

Ende nuk është vendosur se ku do të luajnë, por duhet thënë se kjo gjë do të ndikojë negativisht te një ekip që po vuan edhe krizën e rezultateve. Ndaj kryesuesve, faktori fushë mund të ishte i rëndësishëm për verdheblutë, por duket se nuk do ta kenë këtë favor as këtë javë. Kështu pra, ajo që në pamje të parë u duk si një kalendar favorizues për elbasanasit, në fakt i rezultoi tërësisht e kundërta. Gjithsesi, skuadra është duke vijuar normalisht përgatitjet në kuadër të sfidës me verdhejeshilët, me shpresën se nuk do të dalin pa gjë, duke qenë se ndodhen në një moment kur i duhen pikët më shumë se kurrë. E lehtë nuk do të jetë, po kjo nuk do t’i pengojë të besuarit e Shkëlqim Lleshanakut që të futen me ide të qarta në fushë.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"