Hallaçi: Më kënaq loja e skuadrës, s’na lejohen më hapa fals

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 13:46

Hallaçi: Më kënaq loja e skuadrës, s’na lejohen më hapa fals

Kukësi do të përballet ditën e nesërme me Tiranën në takimin e vlefshëm për javën e 12-të të Kategorisë Superiore. Kesaj here në konferencën për shtyp para gazetarëve ka qenë zëvendëstrajneri Rrahman Hallaçi dhe jo Armando Cungu. 35-vjeçari tregoi se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në këtë dalje të tij, thjesht iu komunikua që do të dilte ai në këtë konferencë për shtyp dhe nuk ka asgjë të keqe. Hallaçi analizoi ecurinë e skuadrës si dhe evidentoi problemet që Kukësi ka hasur në këtë javë.

Hallaci

Pse në këtë konferencë trajneri Cungu nuk zgjodhi që të dilte vetë para medieve?

Nuk është e thënë që të dalë gjithnjë trajneri, mund të dalë dhe ndonjë pjesëtar tjetër i klubit, si shefi i klubit, menaxheri, apo ndonjë lojtar. Nuk ka asnjë problem. Më tha që do të dal unë sot dhe asgjë tjetër

Ekipi ka pësuar ulje e ngritje gjatë kampionatit, pse?

Është normale që ndonjëherë përballemi me vështirësi duke ditur që shumica e lojtareve janë bërë pjesë e ekipit gjatë merkatos së fundit por pavarësisht kësaj, ajo që na motivon më shumë është që këta futbollist të cilët janë afruar së fundmi po futen në ritmin e lojës që kërkojmë.

Një garanci për ne është loja e cila është në rritje në vazhdimësi. Kuptohet që nuk ndihemi mirë kur përballemi me rezultate negative por ajo që na jep siguri në të ardhmen është loja në rritje sidomos në pjesët e dyta ndërkohë që po punojmë për eliminimin e gabimeve të cilat do të na japin mundësinë e marrjes së rezultateve.

Shkëputja e Skënderbeut dhe Partizanit?

Nuk them se jemi mbrapa sa i takon titullit kampion pasi nuk janë shkëputur shumë pikë si Partizani ashtu edhe Skënderbeu pavarësisht që këto dy ekipe po bëjnë mirë dhe është normale që do të përballen me momente jo të mira pasi kampionati është i gjatë.

Ndeshja me Tiranën?

Tirana është e vlerësuar gjithmonë sepse ka histori të madhe por edhe referuar ndeshjes së fundit mendoj që i ka munguar fati për të arritur tek fitorja por ndërkohë neve nuk na lejohet të bëjmë më hapa fals.

Shpërdorimi i rasteve?

Është ë vërtetë që krijojmë shumë raste dhe volum loje por kuptohet që nuk është e lehtë të shënosh gol . Për ne është e rëndësishme është që ekipi të arrijë përball portierit kundërshtarë, por edhe duhet të jemi të saktë duke shënuar sepse në këtë mënyrë fitohen pikët.

Dëmtimet?

Kemi pasur disa dëmtime si ajo e Musollit dhe mbrojtësit të majtë, Simo Rrumbullakut por e rëndësishme është që kemi kontingjentin e duhur për ndeshjen me Tiranën.  Në stërvitemi në fushë me bar artificial dhe më pas kalimi te fusha me bar natyral ka problemet e veta, por kuptohet se pjesa më e madhe do të jetë në fushë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"