Halili: Tirana, e mirëndërtuar. Kemi qenë me fat në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 18:01

Halili: Tirana, e mirëndërtuar. Kemi qenë me fat në merkato

Refik Halili ishte njeriu më i kënaqur në stadium. Tirana e tij fitoi sfidën me Partizanin, ndërsa Tirana marshon drejt titullit të 26-të. Në një intervistë për mediat, Halili pohoi se nuk i intereson Partizani, ndërsa ironizoi të kuqtë se Tirana ka bërë merkato më të mirë dhe ka një ekip të mirëmenduar. Halili pohoi se shpreson që stadiumi të hapet 100% dhe kjo do të ishte në të mirë të futbollit.

halili

President, një fitore e rëndë për tifozët, renditjen dhe luftën për titull?
Derbi është derbi, të them të vërtetën. Normalisht që jam i gëzuar. Meqenëse do të kemi përballë rivalët tanë në lojë do të doja që skuadra të bëjë mirë, ndonëse skuadrat janë aty afër me pikë. Kampionati është shumë i fortë. Jemi të kënaqur sepse jemi në vendin e parë në renditje. Shpresoj që skuadra të mbajë këtë ritëm. Të ecë përpara për të arritur dhe për të bërë atë që duhet të bëjmë. Të jemi në krye dhe të vazhdojmë rrugën që kemi nisur dhe të shkojmë deri në fund.

Çfarë përshtypje ju jep fakti që Tirana është në krye dhe e shkëputur, ndërsa Partizani në zonën e rënies nga Kategoria?
Unë flas për ekipin tim. Skuadra jonë është e mirëndërtuar. Ky ka qenë fat, sepse në merkato ndonjëherë kërkon të marrësh lojtarë, por nuk i gjen. Fati ynë është mosha mesatare e re, duke i marrë të gjithë janë shumë të rinj. Shpresojmë që ta mbajmë këtë grup. Ju garantoj se është një grup i shkëlqyer si asnjëherë tjetër.

Partizani, në fund, çfarë ndjesie ju jep…
Partizani ka punët e tij, ne kemi punën tonë. Ne duhet të festojmë sonte si derbi dhe nga e nesërmja duhet të mendojmë për Vllazninë.

Sa tifozë kishte në stadium. Ishin më shumë se 50 për qind?
Po të kisha mundësi do ta hapja stadiumin 100 për qind. Kemi thënë, Tirana është e hapur. Vazhdojmë, ecim sepse na bëjnë mirë tifozët. Ku t’i gjejmë. Është mirë për futbollin dhe klubet e të ardhurat.

Tani mund të flasim për titull apo java e gjashtë është shumë larg nga fundi?
Për sa i përket klasifikimit, jemi në vend të parë, por për të folur për titull duhet punë e të fitojmë ndeshje të tjera që të ecim para. Sa i përket titullit është shumë, shumë shpejt, kemi shumë punë për të bërë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"