Halili: Tifozët u kthyen, shpresoj të ketë vend për të gjithë. Muzakën e kam çuar në KAS

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2017 | 22:15

Halili: Tifozët u kthyen, shpresoj të ketë vend për të gjithë. Muzakën e kam çuar në KAS

Krahas lojës së të tijve, Refik Halili i është gëzuar edhe rikthimit të një pjese të konsiderueshme të tifozëve në shkallët e stadiumit. Presidenti i bardhebluve në një deklaratë për mediat pas barazimit 2-2 është ndalur edhe te deklarata e ish-trajnerit Daja, te çështja “Muzaka”, por edhe te situata që rrethon skuadrën kryeqytetase.

halili

Fitorja mungon, por a i gëzoheni asaj që prodhoi skuadra në fushë?

Djemtë bënë lojë, ne u munduam të bëjmë më të mirën dhe them se nga java në javë do të përmirësohemi. Kemi pasur goxha dëmtime. Nuk po i qajmë fare pikët, pasi ndeshja mbaroi dhe kënaqësia më e madhe ishte që tifozët u kthyen në stadium. Shpresoj që të kthehen të gjithë, pasi tifozë ka shumë dhe gjithashtu uroj që stadiumi të ketë vend mjaftueshëm për të gjithë.

Tirana i hapi jo pak punë Skënderbeut, që është pretendente për titull.

Unë e kam thënë dhe e përsëris që ekipi është po ai që ka qenë, janë po ata futbollistë. Nuk kam dëshirë t’i kthehem pjesës prapa. Janë po të njëjtët lojtarë në formacion, me përjashtim të Muçës. Kënaqësia më e madhe është se ne sot (dje) luajtëm me dy të rinj, një 17-vjeçar dhe një 19-vjeçar mbrojtës. Kjo është gjë e madhe dhe arritje për pjesën e mbrojtjes që të luajnë dy të rinj.

Trajneri Daja ka deklaruar pak ditë më parë se për sa kohë e drejtoi ai, skuadra ishte brenda objektivave.

Unë s’kam çfarë të them për këtë gjë. Shpresoj që ne të vazhdojmë rrugën, të kapim vendin e katërt dhe krahas kësaj të luftojmë për Kupën e Shqipërisë.

Problemi kryesor i Tiranës është mungesa e fitores…

Do të thosha që ne po i marrim gjërat avash-avash. Vendi i katërt po u kap, fitore është.

Do të ketë premio për ekipin pas kësaj ndeshjeje?

Janë gjëra që unë zakonisht për financa flas brenda për brenda ekipit.

Jo pak herë në Shqipëri ka ekzistuar dhurimi i shpërblimeve nga ekipet kryesuese për t’u ndalur rivalet. Ka marrë Tirana premio nga ndonjë prej kryesueseve?

Unë nuk kam qejf të flas për median e shkruar, apo për ndonjë tjetër. Ju garantoj dhe të jeni shumë të sigurt se kurrë nuk është afruar asnjë dollar, as për futbollistët, as për stafin, as te presidenca, as te klubi. Për këtë ju garantoj. Nëse dikush ka ofruar një herë një dollar, dal para jush dhe mbaj përgjegjësi.

A është mbyllur çështja Muzaka, apo ka një hap drejt KAS-it?

Çështja ka shkuar në KAS.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"