Halili takon Takun, vendimi përfundimtar mbetet në ajër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2017 | 9:53

Halili takon Takun, vendimi përfundimtar mbetet në ajër

Afrim Taku mbetet i pezulluar. Kjo është masa momentale, deri në një vendim të dytë, i cili do të jetë edhe përfundimtar. Klubi pat paralajmëruar se dje do të përcaktohej masa që do të merrej për sjelljen e pahijshme të lojtarit karshi trajnerit, megjithatë gjasat janë që kjo histori të marrë fund sot. Se çfarë do të ndodhë, kjo mbetet ende e paqartë.

Mesfushori vazhdon të “respektojë” përjashtimin, ndaj as dje nuk u duk në “Skënder Halili” për t’u stërvitur. Nga ana tjetër, Mirel Josa e quan këtë çështje si një “kapitull të mbyllur”. Ai është i prerë, ndaj nuk ka ndër mend që ta pranojë te Tirana, sa ai të jetë në krye të ekipit, derisa të mos i jepet ndëshkimi pas debatit të së hënës.

taku-kerciku-tirana-zevendesim-470x313

HALILI-TAKU

I vetmi zhvillim për këtë histori është takimi që ka kryer dje Refik Halili me “bomberin”. Gjatë pasdites, palët kanë folur me njëri-tjetrin, me vullnetin për të zgjidhur gjithçka në favor të Tiranës. Kur janë për t’u luajtur edhe 11 javë nga finishi i këtij sezoni, presidenti kërkon që të mos e dëmtojë më ekipin me një tjetër “firo”, paçka se veprimi mbetet i patolerueshëm.

Hezitimi i presidentit për të marrë direkt një vendim nuk do të thotë që do të falet. Numri një i bardhebluve ia ka thënë prerazi futbollistit që fjala e fundit do të vijë pas “samitit” që do të kryhet sot me stafin teknik.

Taku Tirana

HALILI-JOSA

Halili do të takohet me Mirel Josën dhe dy ndihmësit e tij, Gvozdenoviç dhe Egbo. Vetëm pas kësaj mbledhjeje, e cila është e para për këtë çështje, do të përcaktohet forma e dënimit që do të merret për veprën e Afrim Takut. Mund të jetë gjobë, pezullim pa afat, por edhe përjashtim.

Shanset që trajneri t’i mbyllë sytë para revoltës së tepruar të një prej futbollistëve, qoftë ai dhe autori i tetë golave, janë minimale. Vetë tekniku e cilë- son si një çështje të mbyllur, që në ditën që ai mori vendimin për ta larguar nga stërvitja. Megjithatë, se çfarë do të ofrojë vazhdimi i kësaj “telenovele”, e cila zgjat prej tri ditësh, mbetet ende e paqartë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"