Halili nuk pranon vendimin: Gjyq i njëanshëm, do ta ankimoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2017 | 9:50

Halili nuk pranon vendimin: Gjyq i njëanshëm, do ta ankimoj

Dje ka qenë vetë i pranishëm në se ancën gjyqësore mes Gjergji Muzakës dhe klubit të Tiranës. Presidenti Refik Halili ka përfaqësuar skuadrën e tij në seancën e zhvilluar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, mbi vendimin e së cilës ka pretendimin se shuma e vendosur është përllogaritur keq.

Halili

Në një prononcim për “Panorama Sport”, në orët e mbrëmjes së djeshme, pasi ishin larguar edhe emocionet nga vendimi i dhënë, Halili është shprehur se shuma e caktuar nga vendimi është e ekzagjeruar dhe se ai nuk do të tërhiqet, por do ta ankimojë këtë vendim.

Zoti Halili, cili është komenti juaj për vendimin që u mor në gjyq?

Është gjyq i njëanshëm. Unë do të bëj një apelim po në federatë për këtë.

Pse keni dalë në këtë përfundim mbi gjyqin?

Në bazë të llogaritjeve, nga dëmtimi që ka pasur Muzaka prej nëntë muajsh, i bie që përfundimi nuk është i saktë. Unë ia thashë edhe trupit gjykues gjatë seancës duke i kërkuar që të caktonin një specialist për të bërë kalkulimet. Ata dëgjuan dhe në fund morën një vendim, të cilin, e përsëris, që do ta apeloj.

Thatë që do të apeloni në federatë…

Unë nuk jam jurist dhe mbase mund të mos jem shumë i saktë. Mirëpo, ata më thanë që në përfundim të seancës gjyqësore që kam të drejtën e apelimit dhe unë do ta përdor këtë të drejtë. Mendoj që në atë shumë përfundimtare që kanë dhënë vendim, kanë përfshirë edhe rreth pesë apo gjashtë muaj, që Muzaka ka qenë i dëmtuar.

Në këtë shifër duhet të zbriten edhe tatimet e paguara. Avokati i tij tha që “këtu nuk paguhen tatimet”, mirëpo unë i kam bilancet e tyre të dokumentuara. Për muajin 2015 i kam të raportuara, ndërkohë që, në mars të këtij viti, bëhet edhe raportimi për vitin 2016. Unë them që ka nevojë për një njeri që bën llogaritë e sakta të të gjithë këtyre shpenzimeve dhe pagesave.

Me shifra të përafërta nga përllogaritjet tuaja, sa është shuma që duhet të përfitojë Muzaka?

Duke hequr këto pesë apo gjashtë muaj që ata i kanë vendosur plus, unë e di që detyrimi i Gjergji Muzakës, duke hequr edhe tatimet, i bie që të jetë 34 milionë lekë (të vjetër). Kjo ka ardhur si pasojë e faktit që Muzaka, kur ka marrë pagën bazë prej një milion lekësh që duhet të merrte, nuk pranonte, por donte shtatë.

Dihet tashmë që pagesat tona janë të vështira të kalojnë nëpërmjet bankës, për shkak të një bllokimi të llogarisë, jo për fajin tim, por për një histori të trashëguar prej vitesh. Nuk ishte mirë që të shkonte në këtë mënyrë dhe me këtë ngarkesë, por shumë shpejt çdo gjë do të shkojë drejt zgjidhjes.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"