Halili: Nuk dua të dënohet Skënderbeu, do të ishte humbje për futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2017 | 14:46

Halili: Nuk dua të dënohet Skënderbeu, do të ishte humbje për futbollin

Refik Halili nuk ka më shpresa për qëndrimin në elitë. Në pritje të vendimit të Komisionit të Etikës, që zyrtarisht do të japë qëndrimin e tij më 8 qershor për Skënderbeun, presidenti i Tiranës e thotë hapur se nuk pret që të përfitojë në kurriz të të tjerëve.

Ndërsa në deklaratën e dhënë pas finales së Kupës së Shqipërisë, për “Top Channel” tregohet realist kur thotë që penalizimi i korçarëve do të ishte një humbje e madhe për futbollin tonë.halili

“Të them të drejtën, shpresat më kanë humbur. Edhe nëse ndodh ajo (i referohet dënimit të Skënderbeut), për futbollin shqiptar është humbje. Për mua personalisht është humbje, edhe pse unë do të shoh ekipin tim në të gjitha kushtet, sërish nuk do t’i gëzohesha, pasi unë dua që futbolli të ecë përpara.

Nuk dua të shoh njerëz që penalizohen dhe unë të gëzohem”, tha shprehimisht numri një i klubit kryeqytetas. Duket në fakt se te Tirana i kanë humbur shpresat fill pas deklaratës që presidenti i FSHF-së dha ditë më parë në lidhje me këtë çështje.halili111

E ARDHMJA – E ardhmja është një “rebus”. Deri më tani, e vetmja gjë e sigurt është që Tirana do të jetë pjesë e turit të parë paraeliminator në Ligën e Europës, arritje që do të gjenerojë edhe përfitime. Por, përtej këtij suksesi, rënia nga kategoria ka rënduar gjithkënd, përfshi edhe presidentin.

Ai ndihet i turpëruar për këtë fakt, ndërsa kurrsesi nuk do ta donte që nën drejtimin e tij ekipi të binte për të parën herë në inferiore. Duke mos zbuluar akoma një vendim se çfarë do të bëjë në të ardhmen, ai evidenton edhe faktin që skuadrës së tij i është ngrënë haku, ndoshta duke iu referuar vendimeve të gjyqtarëve.Halili

“Është përbaltur shumë investimi im, është përbaltur dhe këtë e them me plot bindje. Këto fjalë më dalin nga shpirti. As unë nuk doja që të mbahesha mend për keq, që pas 97 vitesh klubi del nga kategoria. Kjo është një gjë shumë e rëndë dhe gjithsecili e di vetë, se si e ka përjetuar. Por, ky ishte fati im. Por mendoj se edhe na është ngrënë pak haku”, përfundoi Halili.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"