Halili humb golin e Xhixhës, Ilion Lika largon COVID-in. Ja pikantet e sfidës Teuta-Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2021 | 20:51

Halili humb golin e Xhixhës, Ilion Lika largon COVID-in. Ja pikantet e sfidës Teuta-Tirana

– Stadiumi “Elbasan Arena” ishte “arnuar” nga zëvendësimet e ndenjësve të reja në ata sektorë që ishin thyer, duke bërë kontrast me ndenjëset më të hershme, edhe pse ishin në të njëjtën ngjyrë, e kuqe dhe zezë. Sakaq, edhe tapetit duket se po i vjen fundi, pasi dukej më i rënduar se zakonisht, kjo për shkak të ndeshjeve rekord që janë zhvilluar këta dy muaj.

SHEHI HALILI OSMANI

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, nuk arriti dot që ta shihte në stadium golin e skuadrës së tij në minutën e parë, pasi mbërriti pesë minuta me vonesë. Me të ardhur, u ul krah presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, dhe atij të FSHF-së, Armand Duka, me këtë të fundit që i ka shpeshtuar prezencat e tij në stadium kohët e fundit. Halili erdhi me vonesë, por largohet i fundit nga stadiumi, teksa qëndroi në tribunë për të përshëndetur dhe duartrokitur ekipin.

TIRANA

Grupimi ultras “Tirona Fanatiks” ishin “armatosur” mirë me flakadanë, të cilët i hodhën që në minutën e parë pas shënimit të golit, duke krijuar edhe një re tymi në stadium.

Të dy golat e parë të sfidës pritën konfirmimin e VAR-it para se të akordoheshin përfundimisht nga Enea Jorgji.

TIRANA 1

Gjatë një ndërhyrjeje me bërryl në dëm të tij, Kallaku qëndron i shtrirë në tokë. Pasi ngrihet me ndihmën e stafit, i kërkon llogari anësorit Bregasi pse nuk akordoi faull në dëm të tij.

Për shkak të dëmtimeve të shumta të lojtarëve nga të dyja ekipet, Jorgji bëri shumë metra vrapim sa nga njëri cep i fushës në tjetrin vetëm për t’i pyetur se si ishte gjendja dhe nëse kishin nevojë për ndërhyrjen e mjekut.

TIRANA 2

Pas disa rasteve të humbura në fushë, Redon Xhixhën e thërret një nga ndihmësit e Shehit për t’i dhënë udhëzime ekstra, në mënyrë që të mos gabonte më pranë portës.

REDON XHIXHA

Orges Shehi tërbohet me portierin Visar Bekaj, pasi në minutën e 30-të ky i fundit rrezikon shumë duke mos larguar si duhet topin. Tekniku duke i bërtitur i kërkoi që në rast rreziku të largonte sa më shumë topin.

Te grupimi ultras i bardhebluve nuk munguan individët që gjatë gjithë kohës e kishin kapur me Aleksin, duke e ofenduar.

Aleksi bën edhe trajnerin në fushë, pasi merr një letër në dorë nga ndihmësi i Martinit, Bledar Hodo, për vendosjet që do të ketë ekipi në fushë, pas zëvendësimeve të fundit.

TIRONA FANATICS

Teuta u mund, por në fund lojtarët dhe stafi “ngushëllohen” me pica.

TEUTA

Më në fund edhe Ilion Lika del negativ. Lojtari nuk ka më asnjë shenjë COVID-i dhe nga e hëna mund të nisë stërvitjen me bardheblutë.

Nga të infektuarit me COVID vetëm Erjon Hoxhallari është në fushë. Pjesa tjetër ka qëndruar në pankinë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"