Halilaj tregon ndarjen me Flamurtarin: I mirëkuptova, por nuk e prisja largimin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2017 | 16:59

Halilaj tregon ndarjen me Flamurtarin: I mirëkuptova, por nuk e prisja largimin!

Argent Halilaj është një nga afrimet e merkatos së verës te Kamza, e cila shpreson se eksperienca e 34-vjeçarit do ta ndihmojë në rrugëtimin në Superiore në këtë sezon. Futbollisti ka treguar se është shumë i lumtur me këtë ndryshim në karrierë, por njëkohësisht ka konfirmuar se ka mbetur i çuditur që e detyruan të largohej nga Flamurtari, ku kishte planifikuar që të kalonte vitet e fundit të karrierës.

Halilaj

“Mora një ofertë nga Kamza, në veçanti nga trajneri Ndreu. E pranova me kënaqësi sepse kam punuar dy vite me të në Krujë, jam ndjerë shumë mirë dhe shpresoj të përsërit edhe një herë ato dy sezone që kam kaluar te Kastrioti.

Nuk mund të lë pa thënë dy gjëra sepse nuk e prisja të largohesha, megjithatë futbolli është i tillë, duhet të respektoj vendimin e trajnerit dhe stafit drejtues të Flamurtarit. Kështu që i mirëkuptova dhe nisa një aventurë të re te Kamza”, tha ai.

Kamzës do t’i duhet që të nisë sezonin me vrull, pasi luan në dy javët e para kundër Kukësit dhe Skënderbeut. Por Halilaj beson se skuadra mund të bëjë mirë në këtë sezon, pavarësisht vështirësive të një fillimi të tillë.

Halilaj Kukesi

“Ne kemi pretendimet tona si skuadër. Më bëhet qejfi që Kukësi arriti të fitonte kampionatin, pavarësisht se la një shije të hidhur eliminimi nga Champions. Edhe Flamurtari po bën një riorganizim shumë të mirë, i uroj sukses por vëmendja ime është e përqendruar te Kamza. Dua të bëj sa më mirë, të sigurojmë mbijetesën, pse jo edhe të shohim për më lart me afrimet e reja që mund të bëjmë.

Shorti ishte i keq, me dy ekipe pretendente për kampionatin që në start. Megjithatë, kjo nuk do të na bëjë që të kemi frikë, do të bëjmë ndeshjet tona. Kam besim se grupi është i etur për rezultate pozitive dhe shpresojmë që t’ia dalim”, deklaroi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"