Haland, zyrtarisht më i miri: I këmbej rekordet për trofetë, golat nuk më motivojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 13:43

Haland, zyrtarisht më i miri: I këmbej rekordet për trofetë, golat nuk më motivojnë

Premier Liga ka zyrtarisht një mbret të ri: Erling Haland. Sulmuesi 22-vjeçar i Mançester Sitit është shpallur edhe “Lojtari më i Mirë i Vitit” nga Premier Liga, çmimi zyrtar që kombinon votën e publikut dhe atë të kapitenëve të 20 klubeve të kampionatit dhe një paneli ekspertësh.

HALAND

Norvegjezi, i cili është duke e mbyllur sezonin e tij të parë në “Etihad” duke thyer rekord pas rekordi, konfirmoi dominimin e Mançester Sitit edhe këtë sezon, por edhe çmimin e “Lojtarit më të Mirë të Vitit”, i cili është pronë e “qytetarëve” që kur Kevin De Bryjne triumfoi në sezonet 2019-‘20 dhe 2021-‘22 dhe Ruben Diaz në 2020-‘21.

REKORDI – Norvegjezi u bë futbollisti i parë që fiton trofeun e “Lojtarit më të Mirë të Vitit” në Premier Ligë dhe “Lojtarit të Ri më të Mirë të Vitit” në të njëjtin sezon, duke thyer edhe një tjetër rekord. I shpallur edhe “Lojtari më i Mirë i Vitit” nga gazetarët sportivë pak ditë më parë, këtë vit ai ishte sinonimi i golave dhe rekordeve. Që ishte qendërsulmuesi më i mirë i ri në qarkullim kjo ishte e qartë përpara se të mbërrinte në Mançester. Por nën drejtimin e Guardiolës ai konfirmoi se është një kampion.

Ka shënuar 36 gola, më shumë se të gjithë në historinë e Premier Ligës në një sezon të vetëm, duke thyer rekordin e 34 golave që Endrju Kol fillimisht dhe pastaj Alan Shirer kishin vendosur në Premier, por kur kampionati ishte ende me 22 skuadra. Në historinë e futbollit anglez, vetëm Diksi Din në sezonin 1927-‘28 ka shënuar më shumë se 52 golat e Halandit këtë vit në të gjitha kompeticionet. Norvegjezi ishte një element shumë i rëndësishëm në sezonin e Sitit, që fitoi titullin e tretë radhazi dhe të pestin në 6 sezone.

REAGIMI – “Unë jam i nderuar që u bëra futbollisti i parë që i fiton të dyja çmimet në të njëjtin sezon. Faleminderit kujtdo që ka votuar për mua”, tha sulmuesi. “Unë nuk mendoj për rekordet. Ajo që më motivon është të ngre trofetë, ashtu siç kemi bërë me Premier Ligën. Është ajo në të cilën jam përqendruar gjatë gjithë sezonit. Ishte një udhëtim i pabesueshëm këtë vit, që prej ndeshjes sime të parë në gusht. Premier Liga është kampionati më i vështirë në botë dhe çdo ndeshje ishte e vështirë. Por ne arritëm që ta fitojmë, gjë që doja absolutisht ta bëja. Të gjithë shokët e mi të skuadrës e kishin fituar titullin dhe doja ta bëja edhe unë”. Dhe Haland jo vetëm që e bëri, por la një shenjë të pashlyeshme në sezonin e tij. Një mal me gola, nga ata që premton të shënojë ende.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"