Haland “tymos” në fushë, ish-lojtari i Dortmundit: Do të hash falas në restorantin tim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 14:20

Haland “tymos” në fushë, ish-lojtari i Dortmundit: Do të hash falas në restorantin tim!

Pas humbjes në Ligën e Kampioneve kundër Lacios, Borusia e Dortmundit është rikthyer te suksesi. Verdhezinjtë fituan me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Shalkes, në derbin e Ruhrit, duke u renditur vetëm 1 pikë larg kryesuesve të Lajpcigut dhe duke ndarë vendin e dytë me Bajernin e Mynihut. Golat për skuadrën e Lysien Favresë u shënuan nga Akanji, Haland dhe Humels. Borusia e festoi fitoren ndaj bluve në dy mënyra: në fillim duke vendosur fytyrën e Erling Halandit në postimin në “Twitter””, duke e cilësuar norvegjezin si Xhejms Bondin e skuadrës, ndërsa në postimin e dytë shkruante: “Lugina e Ruhrit tani është verdhezi”.

haland

Ndërkohë, për fitoren në derbi nuk munguan as urimet nga disa prej ish-lojtarëve të skuadrës, njëri prej të cilëve është edhe Kevin Groskrojc. Ky i fundit është aq i mahnitur nga sulmuesi norvegjez, sa i bëri ofertën fantastike Erling Halandit. “Bravo Erling! Pas golit të shënuar në derbi mund të ushqehesh falas për një vit në restorantin tim në Dortmund”, shkruante Groskrojc, postim që ka marrë komente dhe pëlqime pa fund nga disa prej lojtarëve të Borusias së Dortmundit dhe shumë tifozëve të skuadrës. Ndërkohë, shumë bujë bëri edhe mënyra se si Haland festoi golin e tij: Norvegjezi bëri gjestin sikur po tymoste një cigare, duke thënë ndoshta se goli personal dhe fitorja në derbin ndaj Shalkes ishte aq e thjeshtë sa të tymosësh një cigare.

Bundesliga - Borussia Dortmund v Schalke 04

FLET FAVRE – Një fitore që erdhi në momentin më të mirë për skuadrën e Borusias e cila pas dy javësh do të ketë përballjen direkte me Bajernin në kampionat. Në “klasiken” gjermane do të shihet qartë se cila do të jetë edhe në këtë sezon skuadra më e fortë. Kampionët në fuqi janë dukshëm favoritë në ndeshjen direkte, edhe pse në futboll kurrë nuk mund të bësh parashikime të sakta. Kujtojmë që të mërkurën skuadra gjermane do të luajë përballë Zenitit ndeshjen e dytë të vlefshme për Champions. Djemtë e Favresë do të kërkojnë vetëm tri pikët pas disfatës në Romë.

“Do të jetë ndoshta ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Nuk na lejohen më hapa falsë. Me Shalken treguam karakter dhe se mund të mundim këdo. Djemtë e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Nëse gabojmë, atëherë do t’ia vështirësonim vetes shumë rrugëtimin në Europë, ndaj duhet të japim gjithçka dhe më pas të mendojmë për ndeshjen e radhës. Bajerni? Është herët për të menduar për ta”, tha Favre pas ndeshjes ndaj Shalkes të shtunën pasdite.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"