Haland-Levandovski, baruti i lagur i sfidës/ Myler, elozhe Dejvisit: ‘Piip, piip’, hapuni, po vjen Fonsi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 15:43

Haland-Levandovski, baruti i lagur i sfidës/ Myler, elozhe Dejvisit: ‘Piip, piip’, hapuni, po vjen Fonsi

Ajo që pritej të ishte ndeshja e bomberave të Bundesligës, në fund ofroi dy “pistoleta” me barut të lagur, duke qenë se si Erling Haland i Borusias së Dortmundit, ashtu sikurse Robert Levandovski i Bajernit të Mynihut, nuk arritën që të lënë gjurmën e tyre në sfidën që ndoshta vendosi përfundimisht edhe titullin e sivjetshëm në kampionat.

leva dhe haland

Sigurisht që norvegjezi provoi që të bënte diçka që në fillim, madje pa që t’i mbetej në tentativë edhe ulërima për gol, kur topi që arriti të kalojë poshtë këmbëve të Nojerit pa thuajse mbi vijën fatale që të spastrohej nga Boatengu, por vetëm kaq ishte shumë pak për një gjigant si nordiku, që ka mbi vete të gjithë sytë e klubeve më të mëdha të botës. Ndërkohë, edhe polaku i Bavarisë ishte totalisht në hije, ndonëse me instinktin e tij, ai në rastin e parë që gjeti pak hapësirë dhe doli në qendër të fushës, arriti që të tronditë shtyllën.

Por edhe në këtë rast, vetëm kaq ishte shumë pak për një futbollist të kalibrit të Levandovskit. Dy gjigantët e sulmit, dy bomberat më të fortë të kësaj lufte në distancë për kampionatin, ishin një ndër pikat e errëta të duelit të djeshëm, por fundja edhe dy kolosë si Haland dhe Levandovski mund të kenë një pasdite të mbrapshtë.

Ajo që u pa qartë ishte se si ylli i Borusias, ashtu sikurse i Bajernit janë në të njëjtin nivel, por pa u furnizuar siç duhet me topa, edhe këta alienë për një ditë mund të kthehen në tokësorë. Gjithsesi, Roberti ndryshe nga Erlingu, mund të ngushëllohej me tri pikët, me fitoren e cila afron titullin e tetë kampion radhazi. Prandaj, festa në Bavari mund të fillojë, ndërsa në Dortmund nga dje është ngritur flamuri i bardhë.

MYLER, ELOZHE DEJVISIT

Tomas Myler njihet për karakterin e tij prej humoristi. Pas fitores me Borusian e Dortmundit, në klasiken gjermane, 30- vjeçari nuk i kurseu batutat në lidhje me shokun e tij të skuadrës, Alfonso Dejvis, që sipas tij është i palodhur. “Kur kundërshtari mendon se ka kohë, atëherë ‘piip piip’ vjen Fonsi dhe të parakalon. Ai është i papërmbajtshëm, – tha Myler që shton.

FC Bayern Muenchen v Eintracht Frankfurt - Bundesliga

– Ishte një ndeshje perfekte nga ana jonë, por komplimentet shkojnë edhe për Borusian që bëri një paraqitje të madhe. Tani duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të sjellim titullin sërish në Mynih, aty ku i takon. Jam i lumtur për fitoren e sotme, pasi skuadra i meritoi plotësisht 3 pikët”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"