Hakmarrje perfekte e kuqezinjve në Izrael, dopietë e Sadikut dhe gol i Memushajt (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2017 | 22:20

Hakmarrje perfekte e kuqezinjve në Izrael, dopietë e Sadikut dhe gol i Memushajt (VIDEO)

Shqipëria ka arritur të marrë një fitore fantastike 0-3 në Haifa duke u hakmarrë ndaj Izraelit pas humbjes së pësuar me të njëjtin rezultat në nëntor në Elbasan.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani De Biazi kanë zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer teksa e kanë dominuar kundërshtarin që nga fillimi i takimit.

izrael shqiperi

Armando Sadiku realizoi një dopietë në minutat 22 dhe 44. Goli i dytë i sulmuesit elbasanas ishte një kryevepër teksa kontrolloi mjaft mirë me gjoks topin e ardhur në ajër dhe pasi u rrotullua me fytyrë nga porta, goditi fort duke tundur rrjetën. Edhe goli i parë i Sadikut ishte i ngjashëm për nga mënyra e ekzekutimit të goditjes. Ndërkohë goli i tretë u shënua nga Memushaj në minutën e 71-të pas një aksioni perfekt me kombinimin e Çikalleshit dhe Hysajt.

Me këtë fitore, Shqipëria mbyll ecurinë negative prej 5 humbjesh radhazi dhe ngjitet në vendin e 3-të në grup me 9 pikë, njësoj sa Izraeli, por me golavarazh më të mirë.

Komenti minutë pas minute

90+3′ Mbyllet ndeshja.

87′ Naço tenton me një goditje të fortë nga jashtë zonës, por topi shkon jashtë mbi traun e portës.

83′ Zahavi tenton me një goditje të rrezikshme nga hyrja e zonës, por Strakosha bën një hedhje fantastike dhe grushton topin për ta devijuar në goditje këndi.

82′ Shqipëria kryen zëvendësimin e tretë. Largohet Kukeli, në fushë Veseli.

memushaj

71′ Shqipëria shënon golin e tretë. Çiaklleshi dhe Hysaj bënë një kombinim mjaft të mirë dhe ky i fundit pasoi në zonë për Memushajn i cili shtyu topin drejt rrjetës.

70′ Shqipëria kryen zëvendësimin e dytë. Largohet Sadiku, në fushë Çikalleshi.

68′ Sadiku tenton me një goditje nga jashtë zonës, por pret Goresh.

67′ Izraeli kryen zëvendësimin e tretë. Largohet Sahar, në fushë Benajun.

65′ Dasa tenton me një goditje diagonale nga hyrja e zonës, por pret Strakosha.

57′ Izraeli kryen zëvendësimin e dytë. Largohet Rafaelov, në fushë Vered.

57′ Lila bën një ndërhyrje të gabuar ndaj Tvathës dhe ndëshkohet me karton të verdhë.

55′ Sahar tenton me një goditje brenda zonës, por topi devijohet nga Mavraj, përplaset në shtyllë dhe shkon në goditje këndi.

53′ Shqipëria kryen zëvendësimin e parë. Largohet Roshi, në fushë Lila.

53′ Izraeli kryen zëvendësimin e parë. Largohet Golasa, në fushë Shehter.

51′ Sadiku kalon me vrap mbrojtësin e fundit izraelit dhe del i vetëm përballë portierit Goresh, por ky i fundit e arrin i pari topin duke i hequr sulmuesit shqiptar mundësinë e një golit tjetër.

46′ Fillon pjesa e dytë. Izraeli luan topin e parë.

45+3′ Mbyllet pjesa e parë.

45+3′ Zahavi tenton me një goditje të fortë nga hyrja e zonës, por Strakosha është i vëmendshëm dhe grushton topin.

sadiku1

44′ Shqipëria shënon golin e dytë. Armando Sadiku realizon një gol fantastik me një goditje të fortë nga jashtë zonës, pasi i bëri një kontrollim fantastik me gjoks topit. 

35′ Rafaelov tenton me një goditje me kokë brenda zonës, por topi shkon jashtë.

34′ Zahavi tenton me një goditje me kokë brenda zonës, por Strakosha kontrollon i qetë topin.

30′ Kalojnë në qetësi këto minuta të para pas golit të Sadikut.

sadiku

22′ Shqipëria kalon në avantazh me anë të Sadikut. Roshi i pason topin në hyrje të zonës dhe sulmuesi godet fort drejt portës duke mposhtur portierin Goresh.

19′ Naço tenton me një goditje diagonale nga hyrja e zonës, por Strakosha bën një pritje mjaft të mirë duke e larguar topin në goditje këndi.

15′ Sadiku tenton me një goditje të rrezikshme nga jashtë zonës, por topi pritet nga portieri izraelit.

12′ Naço tenton rrezikshëm nga shumë larg, por Strakosha arrin ta devijojë topin në goditje këndi.

10′ Ende asnjë rast i pastër për gol, por kuqezinjtë vazhdojnë të luajnë më mirë.

5′ Kalojnë pa raste të rrezikshme këto minuta të para, por Shqipëria duket më e motivuar se kundërshtari.

1′ Fillon ndeshja. Shqipëria luan topin e parë.

IZRAEL – SHQIPËRI 0-3
Sadiku 22′, 44′, Memushaj 71′

Izrael: Goresh, Dasa, Tibi, Tzedek, Tvatha, Naço, Golasa (Shehter 53′), Kohen, Rafaelov (Vered 57′), Sahar (Benajun 67′), Zahavi
Trajner: Elisha Levi

Shqipëri: Strakosha, Hysaj, Gjimshiti, Mavraj, Aliji, Kukeli (Veseli 82′), Roshi (Lila 53′), Abrashi, Memushaj, Hyka, Sadiku (Çikalleshi 70′)
Trajner: Xhani De Biazi

Gjyqtar: Aleksei Kulbakov (Bjellorusi)

KV: Lila 57′

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"