Hakmarrja e Kutrones: Goli për kritikët, dua ta bëj Gatuzon me dhimbje koke

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 9:44

Hakmarrja e Kutrones: Goli për kritikët, dua ta bëj Gatuzon me dhimbje koke

Vetëm dhjetë minuta në fushë, por që i mjaftojnë për t’u treguar edhe një herë vendimtar siç i ndodhte në sezonin e kaluar. Patrik Kutrone nuk e ka harruar vesin dhe është i gatshëm të japë shpirtin në minutat që Gatuzo i dhuron. Asisti i Higuainit ishte një perlë më vete, por të gjendurit në vendin e duhur në momentin e duhur është instinkt i pastër dhe një aftësi që nuk kultivohet.

kutrone

TRI PIKË – Pas ndeshjes, sulmuesi ndaloi të fliste për mediat, me emocionin që i dallohej lehtësisht në sy. I ngazëllyer, ai deklaroi: “Jam tej mase i lumtur që fituam ndeshjen. Mënyra sesi e arritëm fitoren e bëri më të bukur këtë përballje. Sinqerisht as që e kuptova çfarë ndodhi, jam shumë i kënaqur për mënyrën sesi shkuan gjërat. Shpresoj të vazhdoj në këtë drejtim dhe të japim sa më shumë kontribut në arritjet e skuadrës”. Pas ndeshjes së Napolit, kuqezinjtë përfunduan në syrin e ciklonit mediatik, por situata ishte pak e shumë e tillë edhe në sezonin kaluar dhe djemtë e Gatuzos kanë filluar ta përballojnë presionin. Reagimi ndaj golit të barazimit verdhekuq ishte një provë më vete karakteri, sidomos duke parë mënyrën sesi u arritën dje tri pikët. Mbi lojën e skuadrës së tij, bomberi kuqezi shpjegoi se: “Nuk e kuptoj përse na kritikuan aq shumë pas Napolit. Në ‘San Paolo’ zhvilluam një paraqitje të mirë, ashtu si edhe sot (dje). Nuk e meritonim të dilnim pa pikë, ndërsa sot besoj se ishte një fitore e merituar. Bëmë një lojë të mirë dhe ia dolëm me sukses të siguronim tri pikët e para në kampionat”.

PANKINA – Dy ndeshje të nisura nga stoli për Kutronen dhe një total prej 28 minutash (bashkë me shtesat), por kaq mjaftoi për golin e parë sezonal. Pankina nuk është habitati i tij natyral dhe sulmuesi nuk bën asgjë për ta fshehur: “Nuk më pëlqen t’i shoh ndeshjet nga stoli, por e kuptoj që përpara meje është një sulmues i jashtëzakonshëm. Do të bëj të pamundurën në çdo stërvitje për ta vënë trajnerin në vështirësi dhe nëse mund të ndihmoj ekipin edhe duke ardhur nga stoli, jam gati ta bëj”. Në fund, sulmuesi dha edhe një koment për Higuanin, që me atë asist fantastik i dha mundësinë e golit të parë në këtë Seri A. “Gonzalon e njohim të gjithë. Ai është ndër më të mirët në botë dhe unë e kam për nder të stërvitem e të mësoj krah tij”, përfundoi deklaratën e tij Kutrone

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"