Hakaj nuk ia del, Sidibe në dyshim për Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 18:34

Hakaj nuk ia del, Sidibe në dyshim për Laçin

Pas tetë javësh kampionat, durrsakët në prag të takimit tepër të rëndësishëm me Laçin do të vuajnë nga mungesa e disa titullarëve. Esin Hakaj dhe Lanicet Sidibe vazhdojnë të shqetësojnë te Teuta. Mbrojtësi shkodran nuk ia del dot të jetë në fushën e lojës përballë kurbinasve, pikërisht prej dëmtimit të pësuar në ndeshjen e fundit me Kastriotin. Një dëmtim që e detyroi të braktiste dhe grumbullimin me Kombëtaren U-21 dhe ende nuk është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit.

hakaj

Sidibe, mesfushori që këtë verë erdhi si “regjisori” i skuadrës durrsake, ka ndierë shqetësime, por ndryshe nga Hakaj, ai ka ende shpresë se mund të fitojë betejën me kohën për të qenë gati për trajnerin Shkëmbi. Shqetësime vijnë dhe nga viroza gripale që qarkullon në ekip.

Më problematike ka qenë gjendje e Sherif Kallakut, i cili për këtë arsye u largua edhe nga grumbullimi i Kombëtares U-21 pas ndeshjes me Spanjën. Ishmesfushori i Laçit pritet të jetë plotësisht i gatshëm në takimin e së shtunës, duke u rreshtuar në mesfushë, aty ku duket se pas javëve të para ka fituar besimin e trajnerit Shkëmbi. Pjesa tjetër e grupit vazhdon të jetë e plotë dhe nën urdhrat e stafit teknik, duke punuar në imtësi për të përballuar forcën e kurbinasve.

sidibe teuta

Pritet të rikthehet edhe Kamara, i cili papritur humbi shkëlqimin e tij në javët e kaluara, duke humbur dhe fanellën e titullarit. Por, në seancat e fundit stërvitore dhe në miqësoren me Erzenin, ai ka treguar edhe një herë forcën e tij. Natyrisht që trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij do të dëshironin që grupi të ishte i plotë, por nuk ka kohë për ankime apo për t’u kapur pas fakteve, pasi skuadra disponon lojtarë të aftë për të mbuluar futbollistët përkatës, të cilët mund të mungojnë për takimin që do të luajnë në fushën asnjanëse të “Elbasan Arenës”.

Skuadra vazhdon me përgatitjet me intensitet të plotë dhe futbollistët punojnë të ndarë me reparte. Mesfusha është reparti që po merr vëmendjen më të madhe, ku futbollistëve u kërkohet më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe më shumë inkursione nga lojtarët anësorë, si Progni, Kamara apo edhe Kruja.

teuta

Shkëmbi kërkon me ngulm që skuadra e tij të rikthehet te loja e bukur që dhuroi në javët e para dhe të bind gjithashtu në rezultate dhe duket se i ka të gjithë përbërësit e duhur për diçka të tillë. Dilema për zëvendësuesin e Hakajt duhet pritur, ndërsa në rast mungese të Sidibesë alternativat janë Traore dhe Gashi.

Anarildo Aliaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"