Hajnkes: Futbolli ka dalë nga shinat, e ka humbur shpirtin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2016 | 15:44


Hajnkes: Futbolli ka dalë nga shinat, e ka humbur shpirtin

Ish-trajneri legjendar i Bajernit, Jup Hajnkes, i ka shkëputur lidhjet me futbollin. Me raste shkon në stadium. Pasi i dha tripletën Bajernit dhe shkroi historinë, 71-vjeçari po shijon pensionin me bashkëshorten e tij. Gjatë një interviste për gazetën gjermane “Welt”, Hajnkes flet për lamtumirën e Shvajnshtaigerit, situatën e tij te Junajtid, transformimin e futbollit, si dhe Bundesligën.

Hejnkes

Z. Jup Hajnkes, si e përjetuat atmosferën në ndeshjen e lamtumirës së Shvajnshtaigerit?

30 mijë tifozët që erdhën, ofruan atmosferë brilante. Ishte një lamtumirë emocionuese dhe e shkëlqyer. Fansat festonin sa herë që Shvajni kishte topin në këmbë. Veç të tjerave, ajo atmosferë më imponoi të ndihesha mirë. Shvajni është autentik dhe ka dhënë gjithnjë më të mirën.

Në momentin që ai u drejtohej me fjalë fansave, shpërtheu në lot. Ka qenë i mbyllur vitet e fundit.

Lotët ishin njerëzore. Basti ka qenë më i ndjeshëm se të tjerët. Ai ka krijuar një lidhje shpirtërore me tifozët. Shvajni nuk është kurrë i mbyllur, pasi nuk ka asgjë për të fshehur. Me sa mbaj mend, nuk ka qenë dhe shumë mediatik. Ai kujdeset për gjërat e tij private.

Si ish-trajner i tij, çfarë mendoni për situatën që po kalon te Junajtid? Murinjo e dërgoi te rezervat.

Nuk është situatë e këndshme për të. Por duhet parë në dy këndvështrime. Së pari, ai u transferua me bujë të madhe nga Van Gali. Dëmtimet e penalizuan edhe gjatë sezonit. Tregu nuk është më si para 15 vitesh, prandaj nuk çuditem.

Si nuk çuditeni?!

Shihni merkaton. Futbolli po del nga shinat e veta. Ky sport e ka humbur shpirtin e tij. Futbolli është biznes. Askush nuk ka durim në kohët e sotme.

Hejnkes dhe Shvajni

Shvajnshtaigeri ka sqaruar se nuk do të luajë më në Europë. Spekulohet për një aventurë në SHBA.

Duhet ta mendojë mirë. Kushtet e futbollit atje nuk u afrohen këtyre të klubeve elitare në Europë. Kjo nis që nga stolat. SHBA-ja nuk është asgjë për Shvajnshtaigerin.

Bajerni e startoi Bundesligën me fitore 6-0 kundër Verderit. Shumë shqetësohen se kampionati do të jetë sërish i mërzitshëm.

Bajerni ka ekipin më të mirë në botë. Patjetër që do të jetë e vështirë për rivalët në Bundesligë. Për Ançelotin është një ëndërr, për atë që gjeti në Mynih. Bajerni është parajsë, por vendimtare do të jetë sërish si do të paraqitet ekipi që nga gjysmëfinalet e Championsit.

Besoni se Dortmundi do të jetë vërtet kërcënim i madh për Bajernin?

Do kohë. Bënë blerje cilësore dhe kanë një trajner të mirë si Tuhel. Lojtarët të përshtaten dhe gjejnë njëritjetrin. Harmonia brenda skuadrës është faktori kryesor për suksesin.

ENIAR IBRO