Hajmalia zikaltër/ Lautaro Martinez njeriu i finaleve, ka fituar 7 nga 8

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2023 | 21:58

Hajmalia zikaltër/ Lautaro Martinez njeriu i finaleve, ka fituar 7 nga 8

Që me mbërritjen e tij në Milano në 2018- 2019-ën, Lautaro Martinez i ka ngjitur me hapa të sigurt shkallët në hierarkinë e skuadrës zikaltër duke u kthyer dalëngadalë në udhëheqësin e grupit dhe pretendentin kryesor për të qenë kapiteni i saj qysh nga sezoni i ardhshëm.

LAUTARO MARTINEZ

Në të gjashtin sezon të tij me fanellën e Interit, argjentinasi ka konsoliduar edhe rolin e tij si njeriu i ndeshjeve të mëdha, ai që shfaqet gjithmonë i pranishëm sa herë skuadra ka nevojë për të. E më shumë se kurrë Interi do të ketë nevojë për sulmuesin më 10 qershor në Stamboll, atëherë kur me Mançester Sitin përballë do të kërkojë t’i sigurojë Interit trofeun e katërt duke triumfuar në të gjashtën finale të klubit në këtë kompeticion.

Pikërisht finalet janë specialiteti i Lautaros, që gjatë karrierës së tij ka luajtur 8 finale me klubin dhe kombëtaren duke fituar 7 prej tyre, në të cilat ka shënuar 5 gola. Sulmuesi ka humbur vetëm të parën, atë ndaj Seviljas në 2020-ën në Europa League dhe ka fituar më pas të gjithë serinë e ndeshjeve që kanë vlejtur Medaljen e Artë, me të fundit Kupën e Italisë ndaj Fiorentinës.

Me finalen më të rëndësishme për Lautaron me fanellën zikaltër që duhet ende të luhet, ai numëron dy Kupa Italie dhe dy Superkupa Italie, ndërkohë që pa dyshim triumfi në Kupën e Botës në Katar me Argjentinën ngelet gëzimi i tij më i madh deri më tani në karrierë, e mbërritur pas suksesit në Kupën e Amerikës dhe asaj në superfinalen ndaj Italisë në “Wembly”.

Me shpresën e të gjithë zikaltërve që hajmalia “Lautaro” të funksionojë edhe në Stamboll, më poshtë janë të gjitha finalet e tij të luajtura në këto tri sezone.

2020 – Humbja ndaj Seviljas 3-2 është njolla e vetme e sulmuesit në këtë film kohor, me sulmuesin që dhuroi ndoshta një nga paraqitjet më të errëta të tij, edhe pse kishte udhëhequr skuadrën deri në fund të kompeticionit.

2021 – Argjentina e tij fitoi Kupën e Amerikës ndaj Brazilit me një gol të Di Marias, në një ndeshje në të cilën “demi” luajti 78 minuta. Triumfi me kombëtaren ishte mbyllja ideale e një viti ëndrrash në të cilin fitoi edhe titullin me Interin.

Janar 2022 – Në 12 janar ndaj Juventusit në Superkupën e Italisë erdhi edhe goli i parë i tij në një finale. Nga pika e bardhë e penalltisë, Lauataro barazoi shifrat në të 35′-ën për ta dërguar ndeshjen në kohën shtesë, një ndeshje e fituar falë golit të Sançezit në të 120′-ën.

Maj 2022 – Sërish ndaj Juventusit dhe sërish në kohën shtesë Interi fitoi Kupën e Italisë më 11 maj 2022, me rezultatin 4-2. Lautaro nuk shënon, por fiton penalltinë që e ndihmon skuadrën ta dërgojë ndeshjen përtej 90 minutave dhe ta fitojë atë.

Qershor 2022 – Argjentina si kampione e Amerikës së Jugut përball Italinë si kampione të Europës, në atë që u quajt “superfinalja”. Bardheklatrit fitojnë 3-01 dhe goli i parë i takon pikërisht Lautaros.

Dhjetor 2022 – Në finalen më të rëndësishme të karrierës së tij, Argjentina mposht Francën me penallti, pas një 3-3 të çmendur, për t’u shpallur kampione bote. “Demi” hyn vetëm në të 103′- ën, nuk shënon, por në fund ngre trofeun.

Janar 2023 – Një gol i Lautaros për të vulosur suksesin 3-0 të Interit përballë Milanit në Superkupën e Italisë dhe një tjetër trofe në palmaresin e klubit dhe të kampionit të botës.

Maj 2023 – Finalja e fundit e Interit mban vetëm firmën e Lautaro Martinezit. Ndaj Fiorentinës më 24 maj, sulmuesi shënoi një dopietë për të vulosur triumfin e nëntë të Interit në këtë kompeticion, falë 2-1 ndaj ekipit violë. E me tre gola në dy finalet e fundit të këtij vit, Mançester Siti është i paralajmëruar.

Lautarooo

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"