Hajdari: S’e preka topin, nuk është hera e parë që na hanë hakun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2017 | 10:18

Hajdari: S’e preka topin, nuk është hera e parë që na hanë hakun

Arsen Hajdari është i sigurt se nuk e ka prekur topin me dorë, në rastin kur Hebaj shënoi gol për Vllazninë. Ai ishte momenti më i diskutueshëm dhe më delikat i ndeshjes së djeshme mes shkodranëve dhe Teutës, që shkaktoi një kaos të vërtetë dhe polemika mes dy ekipeve. I ftohtë dhe i bindur për atë që ka ndodhur në fushën e lojës, mesfushori shkodran ka folur për “Panorama Sport” dhe ka treguar versionin e tij. Ai thotë se nuk e ka prekur topin fare, madje as me kokë.

Arsen Hajdari Vllaznia

“Nuk e kam prekur topin me dorë. Është e vërtetë që dora ka qenë e ngritur në momentin kur topi u krosua nga e djathta, por për hir të së vërtetës nuk më ka prekur. Ndoshta ka qenë shumë pranë, por vendimi përfundimtar ishte i gabuar. Në atë rast, nuk e preka topin as me kokë dhe jo më me dorë”, ka thënë fillimisht Hajdari.

Ai ka replikuar edhe me trajnerin Magani, i cili, pak kohë më parë, pati thënë se lojtari i Vllaznisë e pranoi prekjen me dorë. “Kam dëgjuar se Magani është shprehur se unë e kam pasur një kontakt me topin, por nuk është e vërtetë. Unë nuk kam folur me asnjë për këtë çështje dhe dua ta sqaroj këtë pjesë. Nuk kam si të pranoj gjëra që s’janë të vërteta”, vazhdoi më tej mesfushori i Vllaznisë.

Më tej, ai ka kaluar në kundërsulm, edhe për arbitrat dhe thotë se skuadra e tij meritonte të merrte 3 pikë në këtë ndeshje. “Më vjen keq që na dënojnë në këtë mënyrë, sepse nuk është hera e parë. Po na hahet haku dhe po hidhet poshtë puna e palodhur e stafit dhe futbollistëve. Meritonim ta fitonim këtë ndeshje, por nuk ia dolëm. Edhe pse arritëm të shënonim, nuk morëm dot 3 pikët”, përfundoi Hajdari.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"