Hajdari i ka idetë e qarta për sezonin e ri: Kthejmë Besëlidhjen në elitë dhe… shpallem goleador

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 13:44

Hajdari i ka idetë e qarta për sezonin e ri: Kthejmë Besëlidhjen në elitë dhe… shpallem goleador

Besëlidhja e ka nisur “vrullshëm” sezonin. Jo vetëm që ka siguruar pikët e plota, por ka shënuar gola me bollëk (plot 9). Porta po u ngjit thuajse të gjithëve në Lezhë dhe kjo u jep të drejtë lojtarëve që të pretendojnë edhe… “Këpucën e Artë”. I pari që shpall kandidaturën është Arsen Hajdari. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi shkodran analizon 180 minutat e para, objektivat dhe përballjen e radhës me Burrelin. Këtë javë do ta kenë pushim prej kalendarit, ndaj kanë kohën e duhur për të përgatitur duelin me matjanët.

arsen-hajdari

“Faza përgatitore për ne ishte mjaft e suksesshme. Ia dolëm që të merrnim në kohë ngarkesat maksimale. Kjo është shumë e rëndësishme, që një skuadër futbolli të ndërtohet me mentalitet kampioni. Kemi bërë një fazë të suksesshme përgatitore, e cila i dha që në start frytet e saj. Kemi marrë pikët e plota me një golavarazh të kënaqshëm. Gjithsesi, ende nuk i kemi matur forcat me rivalët realë për ngjitje. Na duhet që të punojmë fort, jo vetëm për të ruajtur formën aktuale, por për t’u përmirësuar më tej. Ky sezon mendoj se deri në fund do të jetë shumë i vështirë, kjo për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia ‘COVID-19’.

Sikletet janë për të gjithë të njëjta, ndaj duhet t’u përshtatemi kushteve dhe situatës. Në radhë kemi sfidën ndaj Burrelit, që do ta zhvillojmë në stadiumin tonë. Fitorja është e vetmja alternativë për ne. Të gjithë sulmuesit ëndërrojnë të shpallen goleadorë, ndaj edhe unë jam në garë për këtë titull. Forma e skuadrës, impenjimi i stafit dhe yni na rritin besimin se ky do të jetë sezoni i fundit i Besëlidhjes në nivelin inferior”, përfundoi 31-vjeçari. Lezhjanët do të presin në shtëpi në javën e katërt të kampionatit skuadrën matjane të Burrelit. Ekipi do të kërkojë fitoren e radhës, që do ta mbante në krye të Grupit A.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"