“Haja bukë me sheqer e ujë dhe shkoja në shkollë me këpucë të grisura”/ Dobi zbërthen Shqipërinë para polakëve: Si Hirushja, do t’ju sfidojë për vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 23:48

“Haja bukë me sheqer e ujë dhe shkoja në shkollë me këpucë të grisura”/ Dobi zbërthen Shqipërinë para polakëve: Si Hirushja, do t’ju sfidojë për vendin e dytë

Enkeleid Dobi mund të shërbejë fare mirë si udhërrëfyesi i Kombëtares për ndeshjet ndaj Polonisë. Ish-sulmuesi i Teutës, që ka zhvilluar gjashtë ndeshje dhe ka shënuar një gol me fanellën kuqezi (1995-2003), është aktualisht nënshtetas polak, jeton atje, drejton një skuadër polake dhe ka ndërtuar familjen e tij me bashkëshorten nga Polonia.

E.Dobi

Në një intervistë për mediat polake, trajneri i Vidzju Lox në Ligën e Parë (e dyta në hierarki), zbërthen Shqipërinë përballë polakëve, në kuadër të shortit që ka përballur Kombëtaren tonë me skuadrën e Levandovski & CO.

Dobi ka komentuar situatën e Panuçit më herët si dhe se si është aktualisht Shqipëria e drejtuar nga Edi Reja. Interesant edhe qëndrimi i Dobit për përballjen mes Shqipërisë dhe Polonisë:

Cili është vendimi më i vështirë që keni marrë si trajner në Poloni?

Pasi humba një ndeshje, kam bërë tetë ndryshime në formacion për sfidën pasuese. Ishte e rëndë, por me atë veprim e tregova se nuk kam frikë të ndërmarr vendime të vështira. Edhe pse ne humbëm edhe sfidën pasardhëse, sërish do të bëja të njëjtin veprim. Kjo, për faktin se duhet që t’i jepja skuadrës një impuls dhe në fushë e treguam që patëm një shpirt tjetër dhe forcë reaguese, pavarësisht rezultatit.

Keni vite në Poloni dhe keni marrë pasaportën polake. A ndiheni polak? Në Poloni kam takuar bashkëshorten time. Kam ndërtuar familjen time këtu. Njoh gjashtë gjuhë dhe mund të jetoja me lehtësi në Itali, Francë apo kudo tjetër, por e kam zgjedhur Poloninë sepse ndihem mirë. Familja ime ndihet mirë, jam i lidhur me Poloninë dhe ndihem polak.

Polonia dhe Shqipëria do të përballen. Jeni i lumtur për shortin?

Jam shumë i lumtur. Sikur të rikthehet shpejt normaliteti dhe të lejohen tifozët, do të jenë dy ndeshje fantastike për atmosferën që krijojnë tifozët. Edhe në Shqipëri, ata janë lojtari i 12-të i Kombëtares. Krijojnë atmosferë fantastike. Shqipëria do të ketë edicion të vështirë, por mendoj se do të luftojë për vendin e dytë. Anglia është favorite, Polonia kërkon që ta luftojë atë si dhe Shqipëria do të tentojë që të sfidojë Poloninë.

Si është Kombëtarja shqiptare?

Shqipëria është një ekip në ndërtim. Ka bërë mjaft mirë në Ligën e Kombeve, por duket se mungon ende diçka. Skuadrat ballkanike kanë kualitete individuale, por ndodh që në dhoma të mos kenë unitet. Edhe te Shqipëria ndodh sepse ka lojtarë të lindur atje dhe të tjerë që janë lindur dhe formuar në shtete të tjera dhe kjo gjë ndikon në dhomat e zhveshjes. Në momentin që Shqipëria kishte unitet, fitoi një miqësore ndaj Francës.

1DX25519

Po tani, nuk ka unitet Shqipëria?

Kjo çështje ndodh me shumë kombëtare, jo vetëm me Shqipërinë. Në përfaqësuese, kjo është sfida kryesore për çdo trajner. Shqipëria ka një trajner mjaft të mirë, si Edi Reja. Nuk mund ta gjykojmë ende, pasi duhet kohë edhe për të që të përfundojë ndërtimin e plotë të ekipit.

Pse u shkarkua Kristian Panuçi?

Me informacionet që kam unë, Panuçi nuk gjeti gjuhën e përbashkët me lojtarët. Ndonjëherë si trajner duhet të zgjedhësh: Nëse do të jetë trajneri ylli apo ylli do të jetë skuadra. Kjo e fundit nuk ndodhi me Panuçin. Unë gjithmonë kam dashur që të jetë ekipi, ylli më i madh sesa çdo individ. Individi fiton ndeshje, ekipi fiton kampionate.

Prej shumë kohësh Shqipëria drejtohet nga italianë…

Kam folur me dikë, të cilin nuk mund ta them, dhe më ka bërë me dije që në momentin e përfundimit të aventurës për Rejën, do të jetë koha për një trajner shqiptar me eksperiencë që të marrë drejtimin. Mund të jetë Besnik Hasi pasuesi i tij. Edhe unë kam dëshirë dhe sigurisht që dua të jem trajner i Kombëtares një ditë. Nuk është ëndërr, por qëllim. Për dy, pesë apo dhjetë vite do të jem në atë rol. Të jetë trajner i Kombëtares, me gjasë, është pikësynimi i çdo trajneri.

Për cilën do të bëni tifo në sfidën Poloni-Shqipëri?

Pyetje e vështirë. Fitoftë më e mira, por unë do të bëj tifo për Shqipërinë sepse do të jetë “Hirushja”. Së dyti, jam shqiptar i lindur atje dhe kam gjak shqiptar. Nuk mund ta harroj asnjëherë. Nëse do të thosha që do të mbështes Poloninë, do të isha tradhtar. Megjithatë, në familjen time do të jetë një atmosferë e bukur. Djali ka si të thuash lëkurën time dhe më ndjek. Vajza është e vogël. Unë do të bëj tifo për Shqipërinë, ndërsa bashkëshortja për fitoren e Polonisë. Në fund fare, fëmijët do të zgjedhin vetë se kë do të ndjekin.

1559833873_Enki2

Si ka qenë sistemi diktatorial?

E kam vuajtur. Kam qenë 16 vjeç kur ra sistemi. Më ka ndodhur të haja bukë me sheqer dhe ujë sepse s’kisha asgjë tjetër për të ngrënë. Shkoja në shkollë me këpucë të grisura. Më vonë, kisha një top dhe ai ishte shoku im më i mirë. Edhe kur isha vetëm, luaja duke goditur topin te muri. Kam qenë djali i një shoferi dhe kam vuajtur më shumë në krahasim me fëmijët e drejtuesve apo sekretarëve me poste.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"