Hafizi: Situata dramatike, Vllazninë dhe Tiranën e dënuan aleancat

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 25, 2017 | 20:33

Hafizi: Situata dramatike, Vllazninë dhe Tiranën e dënuan aleancat

Dy prej klubeve gati 100-vjeçare janë një hap larg “humnerës”. Njëra mes Vllaznisë dhe Tiranës sezonin tjetër mund të bëhet pjesë e Kategorisë së Parë dhe ky fakt ka tronditur edhe shkodranin Astrit Hafizi.Hafizi

Ish-lojtari dhe trajneri i Vllaznisë, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar për pak muaj edhe Tiranën, ndien keqardhje që skuadrat e sollën situatën deri në këtë pikë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai ka radhitur shkaqet që sollën degradimin e dy emrave të mëdhenj të futbollit tonë, ndërsa, përtej keqmenaxhimit, “faturën” ua lë edhe llogarive të bëra gabim me aleancat.

Vllaznia-Tirana si kurrë më parë do na dhurojnë një “finale” mbijetese. E priste Hafizi që gjërat do shkonin deri në këtë pikë?

Është humbje e madhe për Shqipërinë. Nuk është se shuhet bota, pasi kemi shembuj kemi boll, rasti konkret është Juventusi në Itali. Problemi është se ne nuk kemi aq nivel në futboll, sa kemi luksin të humbasim një nga dy klubet historike. Fajet janë të gjithanshme, por mbi të gjitha i klubeve, pasi e çuan vetë veten në këtë pikë.astrit hafizi

Veç keqmenaxhimit, i kanë bërë llogaritë keq edhe me aleancat. Vllaznia për dy dhe Tirana për tre vite festojnë 100-vjetorin. Ndërsa sot diskutojnë rënien. Më ka rënduar shumë kjo gjë dhe më mirëkuptoni pasi në Shkodër për 20 vite kam qenë pjesëtar i këtij klubi, si lojtar apo trajner. Edhe me Tiranën kam lidhje të ngushta, jo vetëm profesionale, por edhe miqësore.

Jua bën zemra që të thoni kush mund të bjerë?

Jo, nuk mundem. Për Vllazninë nuk e them dot, pasi është qyteti im i lindjes. Nuk ma nxë goja. Nuk ka logjikë kjo punë. Aty kam punuar, ndërsa me Tiranën po ashtu jam i lidhur. Kam njerëzit e mi në kryeqytet, pasi nënën nuk e kam shkodrane. Nuk zgjedh dot. Por shpresoj te një mrekulli.

Cila mund të jetë mrekullia?

Shpresoj te Teuta, pasi nga Korabi nuk kam shumë shpresë. Unë dua që “klasikja” të mbetet në Superiore. Në rastin më të keq do shohim një derbi mes Tiranës me Dinamos në të Parën, ose Vllaznia do të detyrojë ekipin B që të zbresë sërish në të dytën.Hafizi

Profesor, ku kanë gabuar skuadrat këtë sezon?

Vllaznia e ka problemin tek administrimi. U bënë 5 vite që është në pronësi të bashkisë. Kjo ka ndikuar së tepërmi edhe tek ecuria e ekipit, prej problemeve financiare dhe deficiteve. Secili ia kalon topin tjetrit dhe askush nuk merr përgjegjësi.

Vllaznia pastaj u “fry” pak si tepër edhe prej disa rezultate të mira, madje menduan edhe vendin e 4-t. Vllaznia është një klub që prodhon talente, megjithatë që të funksionojë ka nevojë që të ndërthuren të rinjtë me eksperiencën. Kjo i ka munguar, pasi edhe merkaton e ka bërë me pikatore.

Gjithsesi, kishin mundësi që të shmangnin rrezikun…

Gabimi kryesor vjen nga ai barazim me Korabin, kjo i vendosi “vulën”. Kjo i kushtoi shumë dhe po e vuajnë.

Po Tirana?

Nëse Vllaznia gaboi një herë, Tirana e bëri dy herë. Katër pikë të lëna me Korabin po e rëndojnë sot. Pastaj iu prishën ekuilibrat edhe me merkaton. Afruan të huaj që nuk bënë dot diferencë. Pastaj situata u përkeqësua në janar kur jo vetëm iu bllokua merkato, por morën përsipër që të bënin edhe largime. Ky ishte një gabim fatal.Astrit Hafizi

Nëse bien, a mund të shërbejë si formë reflektimi?

Këto skuadra duhet të zënë mend një herë e përgjithmonë. Të dyja kanë pasur probleme në vitet e fundit dhe kanë notuar në ujëra të turbullta. “Hë se ia hodhëm edhe këtë herë”, me këtë moto nuk ecet gjithmonë. Po nuk zgjodhe njerëzit e duhur për formimin e një klubi profesionist dhe pa organizim, nuk gjen derman. Vllaznia ka nevojë edhe për president. Pastaj edhe Tiranën një person i vetëm nuk mund ta mbajë. Duhet një plan konkret.

Ndaj dalja e njërës apo tjetrës mund t’i shërbejë që të zënë mend për të ardhmen. E rëndë është, por pas një të keqeje, mund të vijë një e mirë. Ndoshta mund të kthehen nga e Para, me mend të tjera. Ndaj t’i vendosin gishtin kokës. Nuk mund të ecet me pasione personale apo me lojëra politike. Duke e kaluar topin një herë majtas dhe një herë djathtas. Gabimet përfshijnë gjithkënd, megjithatë unë mendoj se fajet kryesore u mbeten ekipeve.

Një javë më parë, Kukësi u shpall kampion, ndërsa në finish vendoset se kush bie. E kishit menduar që do lihej gjithçka për në fund?

S’ma mori mendja. Pasi në fundin e fazës së 3-të dhe fillimin e të 4-ës, sikur ishin përcaktuar disa verdikte. Por tolerimet, ose më mirë po i quaj “aleanca”, se duket si më e zbutur si fjalë, i kushtuan si Tiranës, ashtu edhe Vllaznisë. Janë përfolur që të dyja, i kemi parë dhe lexuar. Edhe kjo ka ndikuar në këtë rrëshqitjen. Nuk erdhi aq papritur domethënë.

Llogari të bëra gabim doni të thoni…?

Po, po. Nuk mund të bësh aleancë në kurriz të ekipit dhe tifozëve të tu. Kjo nuk shkon. Ky term po përdoret shumë

ADELA MERKO





www.minuta90.com