Hafizi: Nuk mund t’i mbanim shpresat te këmbët e të tjerëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2016 | 13:48

Hafizi: Nuk mund t’i mbanim shpresat te këmbët e të tjerëve

Astrit Hafizi mendon se askush nuk duhet të ndiejë keqardhje pse Kombëtarja u eliminua që në fazën e grupeve të Europianit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Shqipërisë analizon debutimin historik të kuqezinjve, teksa ndalet edhe tek ato gjëra që sipas tij mund të shkonin më mirë. Hafizi thekson se rasti i humbur nga Shkëlzen Gashi në minutat e fundit kundër Zvicrës ishte momenti më fatal që vendosi në një masë të madhe fatin e Kombëtares.

Hafizi

Pas këtij eliminimi nga faza e grupeve, ka edhe keqardhje për faktin se nuk u kualifikuam përmes vendit të tretë. Ju si e keni parë këtë debutim të kuqezinjve në Europian?

Mendoj se nuk ka vend për keqardhje pas këtij eliminimi. Duhet të ndihemi më mirë se asnjëherë tjetër për Kombëtaren. Ishte diçka jashtëzakonisht e arrirë dhe për këtë mjafton të kujtojmë të kaluarën. Para disa kohësh thoshim se na mjafton kualifikimi në Europian dhe jo si do të paraqitemi aty, nisur edhe nga fakti se asnjëherë s’kemi qenë në këto nivele. Duhet të jemi krenarë për faktin se në debutimin tonë arritëm një fitore dhe shënuam një gol që do të mbahet mend gjatë.

Ky ishte maksimumi që mund të bënim?

Shikoni, jemi një vend i vogël dhe nuk duhet të jemi aspak të mërzitur pse nuk e kaluam grupin. Thjesht kjo skuadër na bëri krenarë dhe arriti të na emociononte në këtë prezantim të parë.

OK, por me rregulloren e re mund të përfitonim. Çfarë ju zhgënjeu më shumë në kombinacionin e rezultateve që na riktheu në shtëpi?

Ashtu si erdhi situata, edhe mund të kishim ndonjë shans për kualifikimin përmes vendit të tretë, por kjo ishte e varur nga këmbët e të tjerëve, jo te ne. Nuk e shikoj si ndonjë dramë të madhe faktin që Turqia shënoi golin e dytë me Çekinë apo Hungaria nuk arriti të fitojë ndaj Portugalisë. Këto janë gjëra që nuk i kemi në dorë, por për ne mjaft e rëndësishme ishte që nuk jemi në skuadrat e vendeve të fundit. Nëse shikojmë përfundimin e të gjitha grupeve, kemi lënë pas skuadra me emër si Rumania, Austria, Ukraina etj. Pra, gati 6 Kombëtare të mëdha janë poshtë nesh dhe kjo nuk është pak kur mendon se për herë të parë marrim pjesë në këtë eveniment.

Çfarë mund të bënim më mirë në tri ndeshjet e luajtura?

Nëse bëjmë një analizë të të tria ndeshjeve, unë mendoj se nuk kemi pasur një raport të drejtë mes veprimeve të sulmit dhe të mbrojtjes si skuadër. Në total skuadra ka qenë më mirë në fazën mbrojtëse, sesa atë sulmuese. Nëse do të kishim edhe pak më shumë kurajë në veprimet ofensive, ndoshta do të kishim kaluar më tej. Me një gol tjetër edhe mund të kualifikoheshim, por të shënon vetëm një herë në tri ndeshje dhe të kalosh më tej, është shumë pak për një skuadër. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që skuadra të tjera të nivelit tonë, madje shumica prej tyre debutues, kanë realizuar rregullisht në çdo takim. Shembulli tipik është Islanda, që u kualifikua se shënoi në mënyrë konstante. Pra, po të interpretonim më mirë lojën sulmuese, do të merrnim më shumë pikë. Skuadra në disa momente e tregoi gjatë Europianit se ka dëshirë për të sulmuar, paçka se këto janë gjëra që i merr përsipër vetëm trajneri për taktikën që duhet të ndjekë.

13442094_1194742490545082_1989171816_o

Cili ishte për ju rasti më fatal që na penalizoi?

Rasti më fatal që mund të na bënte të lavdishëm në këtë Europian ka qenë ai i Gashit kundër Zvicrës. Nuk kishte më kohë dhe loja përfundonte, kështu që ajo pikë mund të na jepte kualifikimin, gjithmonë duke marrë të mirëqenë fitoren që bëmë ndaj Rumanisë.

Si e shikoni tashmë të ardhmen e këtij grupi lojtarësh në Kombëtare?

Pas këtij prezantimi në Europian, tashmë do të na shohin me sy tjetër të gjitha skuadrat. Ndoshta për ne tashmë do të bëhet edhe më e vështirë, sepse mobilizimi i ekipeve të tjera, duke nisur nga eliminatoret e Botërorit, do të jetë shumë më i madh.

Mendoni se tashmë pas këtij Europiani De Biazi do të vazhdojë të qëndrojë në krye të Kombëtares?

Palët kanë konfirmuar rinovimin dhe i bie që të qëndrojë. Megjithatë, të ardhmen e di vetëm De Biazi. Nëse ai mendon se e ka mbyllur ciklin e tij, duke arritur kualifikimin në Europian me Shqipërinë, atëherë ndoshta mund të largohet.

Jorgis Memo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"