Hafizi: De Biazi të mërzit futbollin, gafat e tij i kupton edhe gomari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2017 | 11:22

Hafizi: De Biazi të mërzit futbollin, gafat e tij i kupton edhe gomari

Astrit Hafizi dhe Xhani De Biazi prej shumë muajsh janë përfshirë në një debat në distancë me njëri-tjetrin. I pari një ish-trajner i Kombëtares dhe aktualisht specialist futbolli, ndërsa i dyti tekniku aktual i kuqezinjve, nuk kursejnë asgjë ndaj njëri-tjetrit. Dy ditë më parë, De Biazi e etiketoi xheloz Hafizin gjatë intervistës në emisionin “Opinion” në “TV Klan”.

astrit hafizi

Sot, ish-trajneri i përfaqësueses i përgjigjet “timonierit” kuqezi në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”. “Unë nuk mund të kem xhelozi ndaj De Biazit, pasi në atë kohë nuk kam pasur mundësi. Ajo ishte përgjigjja më me pa nivel që kam dëgjuar ndonjëherë. Në pamundësi për të gjitha ato që unë kam thënë që pas Kampionatit Europian, për përfundimin e ciklit të tij dhe që De Biazi duhet të ikë, ai merret dhe jep përgjigje si ajo e djeshmja”, tha fillimisht Hafizi.

“De Biazi jeton ende me ëndrrën e Europianit dhe përfaqësuesja po shkon poshtë e më poshtë. Kur ta kuptojë ai mendoj se do të jetë vonë. Shpresoj që drejtuesit e FSHF-së t’i bëjnë gjërat më mirë dhe ta kuptojnë situatën. Ekipi përfaqësues po shkon poshtë e më poshtë në drejtim të lojës”, lëshon alarmin ish-tekniku kuqezi.

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ju ka etiketuar si xheloz për sa u përket kritikave që i bëni atij dhe lojës së Shqipërisë. Sipas teknikut italian, ai ka arritur atë që ju nuk e realizuat dot me ekipin përfaqësues dhe për këtë ju ka konsideruar xheloz. Cili është komenti juaj?

Ndoshta, i djegin ato që them unë. Kur i bëhet pyetja në përgjithësi, ai përmend menjëherë emrin tim. Edhe njeriu më i thjeshtë e kupton, çfarë lidhje ka xhelozia me mua në këtë rast? Një punë në kushte diametralisht të kundërta mes meje dhe De Biazit. Unë kam qenë trajner i Kombëtares përpara 20 vitesh, ndërsa ai tani. Vitet kanë kaluar dhe gjërat sigurisht që janë më mirë për Kombëtaren. Atë e di edhe gomari.

Unë nuk mund të kem xhelozi ndaj De Biazit, pasi në atë kohë nuk kam pasur mundësi. Ajo ishte përgjigjja më me pa nivel që kam dëgjuar ndonjëherë. Në pamundësi për të gjitha ato që unë kam thënë që pas Kampionatit Europian, për përfundimin e ciklit të tij dhe që De Biazi duhet të ikë, ai merret dhe jep përgjigje si ajo e djeshmja.

Unë vërtet kam thënë që duhet të ikë, por nuk kam përmendur që është trajner pa vlera. Për fatin e mirë timin dhe për fatin e keq të atij, gjërat po dalin ashtu siç i kam thënë unë. Ekipi përfaqësues po shkon poshtë e më poshtë në drejtim të lojës. Një përgjigje pa nivel. Pse duhet të bëhem xheloz për të?! Ai nuk është se më ka zëvendësuar mua, pasi unë jam larguar prej 20 vitesh nga Kombëtarja.

Çfarë nuk shkon me këtë përfaqësuese në këto ndeshje të fundit?

Vërtet në këto ndeshjet e fundit përfaqësuesja ka luajtur kundër Spanjës dhe Italisë, por unë kam thënë që gjithmonë se nuk jam dakord me mënyrën se si luan ai. Kjo është një gjë që ai nuk do ta kuptojë dhe është më keq që kërkon ta mbulojë. De Biazi vazhdon të jetojë ende me jehonën e Kampionatit Europian. Ajo mrekulli ka përfunduar tashmë.

Sigurisht, do të mbetet gjëja më e bukur në historinë e futbollit tonë dhe ajo arritje do të hyjë në muze, do të ruhet dhe për të do të shkruhet me germa të mëdha. Sigurisht, edhe De Biazi do të ketë emrin e vet aty. Por që të vazhdojë të jetojë me jehonën e Europianit dhe në fushë paraqitet një ekip i dobët, kjo është e papranueshme.

Nuk e di se si e lënë në këtë rast. De Biazi jeton ende me ëndrrën e Europianit dhe përfaqësuesja po shkon poshtë e më poshtë. Kur ta kuptojë ai, mendoj se do të jetë vonë. Shpresoj që drejtuesit e FSHF-së t’i bëjnë gjërat më mirë dhe ta kuptojnë situatën.

Mendoni se duhet të ikë që tani, pa përfunduar ky edicion?

Nuk e di, pasi nuk më përket mua ta them këtë. Është një çështje që duhej zgjidhur që pas Kampionatit Europian. Një njeri që nuk do të ulet dhe të shpjegojë lojën teknikisht, gjen nga këto alibi duke thënë se jam xheloz, apo nuk shkoj për të parë ndeshjet në stadium.

Pikërisht, një tjetër kritikë ndaj jush ishte se nuk shkoni në stadium dhe duke i parë ndeshjet nga televizori keni një kënd të vogël, që nuk ju lë të krijoni një ide më të qartë në të gjithë fushën…

Nuk është e vërtetë. Unë të gjitha ndeshjet në stadium i shoh, përjashto ato kur Kombëtarja luan jashtë, ndërsa në Shqipëri i shoh gjithmonë në stadium. Për sa i përket lojës së De Biazit, unë e kuptoj plotësisht, pasi ai nuk ka asgjë të re në lojën e tij që të mos e kuptosh.

Çfarë loje bën De Biazi?

Duke nisur që në ndeshjen e parë pas Europianit, miqësoren ndaj Marokut në gushtin e kaluar, më pas me Maqedoninë, Lihtenshtejnin, Spanjën apo Italinë, është e njëjta lojë. Madje, loja në sfidën me Spanjën në Shkodër është edhe më e keqe. Është mënyra e lojës më e keqe se rezultati. Nëse do që t’i mërzisësh futbollin një njeriu, jepi të shohë ndeshjen e Shqipërisë ndaj Spanjës. Ai takim ishte një turp e faqja e zezë.

Nuk ishte hera e parë që ne luajmë me ekipe të mëdha. Me përfaqësuese të rëndësishme jemi ndeshur vazhdimisht, por të paktën kemi treguar se dimë të luajmë futboll. Për të mos folur më tej për fitoret ndaj Belgjikës apo Greqisë që ishte kampione Europe. Fatkeqësia më e madhe është se një trajner nuk jep një ide se pse luhet kështu dhe nuk luhet ashtu.

Një trajner që vendos Lilën në krahun e djathtë që luan bashkë me Hysajn e kupton edhe gomari që Lila nuk është për në krahun e djathtë. Ai luan me dy mbrojtës të djathtë. Por, nëse e vendos Lilën për të markuar De Shiljon vajmedet kjo punë ku ka shkuar. De Shiljo nuk tregon asgjë dhe është një futbollist krejt i zakonshëm. Për çfarë arsyeje e vendos aty Lilën?! Këtë duhet të shpjegojë De Biazi.

Po si mund të fitonim me Bosnjë-Hercegovinën ne? Një teori e pashkruar e futbollit ndër vite, e cila po gjen zbatim sot e kësaj dite, thotë që mbrojtja më e mirë është sulmi. Ndërsa për mua, De Biazi do të mbetet si ai që këtë thënie kaq të bukur të kësaj loje e ktheu në të kundërtën se sulmi më i mirë është mbrojtja.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"