Hadroj: Zbukurojmë kampionatin, Bylisi nuk zhgënjen ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2019 | 17:19

Hadroj: Zbukurojmë kampionatin, Bylisi nuk zhgënjen ndaj Vllaznisë

Një nga lojtarët e shumtë të talentuar që po debutojnë në Superiore me Bylisin është edhe Andi Hadroji. Pukjani, i cili debutimin në elitë e ka me Laçin në sezonin e shkuar, këtë janar u bë pjesë e Bylisit ku në shumë ndeshje luajti edhe si titullar.

andi hadroj

Në verë, gjatë fazës përgatitore, Hadroji pësoi edhe një dëmtim, duke u detyruar që të bënte ndërhyrje, e cila e mbajti larg fushave për rreth dy muaj. Trajneri Dovedan e aktivizoi si titullar në sfidën ndaj Teutës në linjën e djathtë dhe djaloshi 20-vjeçar debutoi me Bylisin në elitë në mënyrën më të mirë. Asnjë top i humbur dhe nismëtar i disa aksioneve sulmuese të ballshiotëve, madje duke shkuar edhe vetë dy herë afër golit.

Në prononcimin për “Panorama Sport”, Andi Hadroji foli për të tashmen dhe të ardhmen. “Normalisht që më ka munguar fusha dhe në momentin tim më të mirë gjatë fazës detyrohem të bëj ndërhyrje. U riktheva, kam punuar shumë dhe normalisht ishte surprizë e bukur që unë të luaja si titullar me Teutën nga minuta e parë. Nuk kisha emocione. Trajneri ynë është një njeri i veçantë, më ka motivuar para sfidës. Edhe presidenti ka besuar e më ka dhënë kurajë. Unë u jam mirënjohës, sepse të dëmtohesh apo të bësh ndërhyrje shumë i ri nuk është pak. Në fushë edhe shokët dhe lojtarët me eksperiencë më jepnin kurajë. Në ndeshje u ambientova me ritmin shumë shpejt dhe për hir të së vërtetës me pak fat mund të shënoja”, tha Andi Hadroji.

Bylisi luan me Vllazninë këtë fundjave dhe Hadroji ka besim se skuadra do të dijë të ruajë ritmin. “Luajmë një ndeshje delikate dhe besoj se do të ketë spektakël. Jemi dy ekipe që po zbukurojmë kampionatin. Jemi koshientë se Bylisi dhe Vllaznia erdhën nga e para dhe po bëjnë shumë mirë. Ne duam të bëjmë lojën tonë edhe në këtë sfidë. Rezultatin ia lëmë fushës, por unë kam besim se edhe në këtë sfidë nuk do të mundemi, madje nëse luhet në një fushë të mirë, ne edhe mund të fitojmë”, tha Andi Hadroji, që në Ballsh e shohin si një lojtar me shumë të ardhme.

E.Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"