Habit Idrizi: Rrogat do t’i jap kur dua unë, të më hedhin në gjyq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2017 | 9:50

Habit Idrizi: Rrogat do t’i jap kur dua unë, të më hedhin në gjyq

Sinan Idrizi nuk pranon asnjë presion për çështjen e pagave. Pavarësisht se ende lojtarët nuk kanë marrë rrogat në duart e tyre, plot pesë të tilla, administratori Idrizi thotë se nuk bie pre e asnjë presioni që mund t’i bëhet. Për “Panorama Sport”, Idrizi tha dje se do t’i ndajë pagat kur të dojë ai dhe se çdo lojtar mund t’i drejtohet gjyqit.

Sinan Idrizi

“Harrojini pagat. Mos u merrni më me këtë çështje. Historia e pagave është e mbyllur. Pagat do t’i jap kur të dua unë. Nuk më bën dot asnjë presion. Kush do nga lojtarët le t’u drejtohet gjyqeve. Nuk ka lekë. Firma ka falimentuar. Mos u merrni më. Nuk ka as probleme me bankat dhe me asgjë tjetër.

Idrizi

Do t’i jap unë kur të dua. Nuk arrij ta kuptoj çfarë janë këto presione që na bëhen, e pikërisht në një kohë që do të punojmë për ekipin e ri. Gjithsesi, nuk kam më çfarë të them për këtë çështje. Ajo për mua nuk ekziston më. Le të shkojnë në gjyq ata që duan. Ju uroj agjërim të mbarë lojtarëve të Flamurtarit”, tha fillimisht Idrizi.

MERKATO

Administratori ndalet edhe te merkato. Sipas tij, ka ende kohë për këtë çështje, ndërsa thotë se do të plotësojë çdo kërkesë të trajnerit Duro. “Është ende shpejt për merkaton. Nuk kemi ndonjë zhvillim të ri, veç firmosjes me Ditmar Bicajn. Kemi ende kohë, i thonë edhe një muaj dhe do të punojmë me kujdes.

bicaj flamurtari1

Të them të drejtën, unë nuk po merrem me çështjen e merkatos. Është trajneri Duro ai që ka gjithçka në dorë dhe ka të gjithë tagrin për të zhvilluar merkaton.

Do t’i plotësoj trajnerit çdo dëshirë që ai ka. Është i lirë të bëjë zgjedhjet e veta, unë nuk ndërhyj, ashtu sikundër nuk kam ndërhyrë asnjëherë në asnjë merkato. Nuk kam dhënë asnjë udhëzim nga tribuna, ashtu sikundër nuk kam zbritur në dhomat e zhveshjes”, tha Idrizi.

LARGIMET

Sinan Idrizi flet edhe për largimet. Ai zbulon se trajneri Duro do të mbajë boshtin aktual të lojtarëve. “Nuk është larguar asnjë lojtar deri më tani. Natyrisht që edhe për largimet do të vendosë vetë trajneri. Por, me sa kemi diskutuar, trajneri Duro ka objektivat e veta edhe për pjesën e lojtarëve që do të mbajë.

Shpetim Duro Flamurtari stervitje

Di që ai e do që ta ketë në ekip një pjesë të mirë të lojtarëve aktualë. Bëhet fjalë për lojtarët shqiptarë që kanë qenë titullarë, ashtu sikundër edhe disa futbollistë të huaj”, përfundon Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"