Ha drekë me ekipin, por Troisi nuk gjen akordin me Flamurtarin. Zbulohen prapaskenat në klubin vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 23:18

Ha drekë me ekipin, por Troisi nuk gjen akordin me Flamurtarin. Zbulohen prapaskenat në klubin vlonjat

Marselo Troisi vjen dhe ikën brenda ditës nga Shqipëria. Ai zbarkoi dje në Vlorë gjatë mesditës për të finalizuar marrëveshjen, por gjithçka ngeci. Braziliani ka dalë “huq”, pasi mbeti gjatë gjithë ditës në pritje të një takimi me administratorin Sinan Idrizi.

Troisi Kukesi

Kreu i klubit nuk ka ardhur ende nga Turqia dhe bisedimet nuk i zhvilluan dot kurrë kokë më kokë. Në mungesë të tij, është drejtuar te drejtuesit e tjerë të klubit. Pasi ka qëndruar për disa minuta në ambientet e klubit, ku ka folur me anëtarë të bordit drejtues “Flamurtari”, trajneri i është drejtuar restorantit ku hanë edhe lojtarët kuqezinj.

Braziliani është shoqëruar për të ngrënë drekën nga një nga punonjësit e sigurisë së stadiumit, i cili i ka treguar edhe restorantin që gjendet pak metra larg stadiumit, përballë pallatit të sportit. Hyrja brenda restorantit e Troisit i ka shtangur lojtarët. Në një moment që ai nuk ishte prezantuar si trajneri i ri, kanë menduar se ishte bërë fakt kjo lëvizje. Por jo. Gjithsesi, kjo gjë nuk e ka penguar që të përshëndetet dhe të prezantohet me ta.

Troisi

Pasi ka drekuar, Troisi është larguar drejt banesës ku e ka akomoduar klubi, në pritje të kthimit nga Turqia të administratorit Idrizi. Por pasdite, situata ka ndryshuar plotësisht. Palët nuk e gjetën kurrë akordin, aq sa vetë Marselo Troisi rreth orës 17:30 në “Facebook” shkruante: “Po kthehem në Greqi”.

Gazeta e kontaktoi brazilianin për ndonjë detaj më tepër dhe ai shkurtimisht tha: “Nuk e arritëm marrëveshjen”. Tashmë, është e sigurt: ai nuk do të jetë trajneri i vlonjatëve. Në fakt, edhe vetë Idrizi e pati paralajmëruar se diçka mund të ndryshonte rrugës dhe ja që ndodhi. Dhe duket se mungesa e licencës “UEFA Pro” i ka prishur planet trajnerit.

Për “Panorama Sport” është Sinan Idrizi që konfirmoi se përse Marselo Troisi nuk firmosi në Vlorë. “Nuk e arritëm marrëveshjen për shkak se braziliani rezultoi të mos e kishte licencën ‘Pro UEFA’. FSHF nuk e pranoi patentën e tij. Nëse atje në Greqi e rregullon duke e njësuar, ne e presim edhe tri ditë”, u shpreh administratori.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"