“Gvozdenoviç na qetësoi”, Prençi “qan” barazimin me Besën: Gabuam me vlerësimin e rivalëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2022 | 22:45

“Gvozdenoviç na qetësoi”, Prençi “qan” barazimin me Besën: Gabuam me vlerësimin e rivalëve

Skënderbeu nuk heq dorë nga misioni “Superiore”. Edhe pse e mbylli vitin në vendin e katërt, në Korçë besojnë te kreu.

prenci skenderbeu

I këtij mendimi është edhe mbrojtësi Elvis Prençi, që ka pritshmëri të mëdha nga 2023-shi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai saktëson se skuadra ka kapur ritmin me Ivan Gvozdenoviçin në stol dhe mbi të gjitha kuptoi një gabim që e shoqëroi në javët e para të garës.

3 ndeshje 7 pikë. Mund të themi se Skënderbeu ka gjetur ritmin?

Të them të drejtën mendoj se meritonim 9 pikë në këto 3 ndeshje të luajtura nga rifillimi i kampionatit e deri tani. E them me bindje me atë që tregoi ekipi me Apoloninë, Turbinën dhe Besën. Edhe pse të fundit barazuam, duhet thënë bindëm dhe patëm raste flagrante për shënim. Por kështu ka qenë e shkruar dhe duhet të jemi të kënaqur me këto pikë që morëm në 270 minutat e fundit.

Çfarë ka ndryshuar me Gvozdenoviçin në krye të pankinës korçare?

Gvozdenoviç është një trajner profesionist, i qetë, i komunikueshëm, tepër pozitiv dhe mbi të gjitha i dashuruar me këto ngjyra dhe me këtë klub, ku ka arritur të fitojë gjithçka. Kryesorja që është munduar të ndryshojë që ditën e parë kur ka ardhur në krye të ekipit anën psikologjike të lojtarëve. Ai e ka parë si pikë të dobët këtë te ne, pasi cilësia brenda ekipit nuk mungon.

Çfarë prisni në pjesën e dytë të sezonit?

Skënderbeu duhet ta nisë me të njëjtin marsh ku e mbyllëm këtë vit. Me të njëjtin impenjim dhe përkushtim për të arritur objektivin që kemi. Madje na erdhi shumë keq që nuk e kryem ashtu siç duhej, për sa i përket rezultatit në ndeshjen ndaj Besës, por mbi të gjitha që nuk e luajtëm në këtë vit dhe ndeshjen me Lushnjën pasi ekipi po kalonte një formë shumë të mirë dhe ishim gati për të marrë maksimumin edhe në këtë takim.

Ku ka gabuar Skënderbeu në këtë pjesë të parë?

Në fillim u gabua në vlerësimin e kundërshtarëve. Duke ardhur nga një kategori më lart, mendohej që do të ishte superior karshi çdo ekipi. Kjo besoj se ka ndikuar jo pak te mentaliteti i çdo lojtari dhe mënyra se si hynim në fushën e lojës. Por me kalimin e ndeshjeve filluam të kuptonim të gjithë bashkë, se në futboll nuk ka më “të vogla” dhe “të mëdha” e aq më pak kategori.

Në qoftë se nuk e vlerëson siç duhet kundërshtarin mund të prishë shumë punë, siç na ka ndodhur dhe ne në disa takime ku kemi lënë pikë aty ku nuk pritej. Të gjitha këto i kemi analizuar dhe kemi dalë në përfundimin se për këtë jemi të gjithë përgjegjës. Prandaj tani po ecim me një tjetër ritëm duke vlerësuar maksimalisht gjithkënd dhe duke pasur besim te vetja e mbi të gjitha duke pasur si pasqyrë kërkesat dhe historinë e këtij klubi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"