Gvozdenoviç e nis sot nga Fieri, Skënderbeu luan për gjithçka kundër Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 8:44

Gvozdenoviç e nis sot nga Fieri, Skënderbeu luan për gjithçka kundër Apolonisë

Skënderbeu rikthehet në kampionat për të rinisur ngjitjen. Me një trajner të ri tashmë, korçarët do të kërkojnë fitoren të dielën në Fier ndaj Apolonisë.

Ivan Gvozdenovic Ardjan Takaj

Objektivi primar i klubit është rikthimi në elitë dhe Ivan Gvozdenoviç beson shumë se Skënderbeu aktual do të nisë një epokë të re.

Mbi të gjitha psikologjikisht, por edhe në terren me lojtarët, serbi është duke bërë edhe ndryshimet e para.

Një Skënderbe i riformatuar dhe ultraofensiv pritet të zbresë në fushë të dielën në “Loni Papuçiu”, me kërkesën e objektivit maksimal, fitoren.

Një triumf i mundshëm në Fier do ta katapultonte ekipin e trajnerit serb në vendin e katërt. Emrat pak a shumë janë të njëjtë, duke parë që korçarët nuk do të kenë mungesa të mëdha në këtë takim, përveç mbrojtësit Beci që është në dyshim.

Pjesa tjetër e ekipit është gati për të qenë në fushë, me qëllim marrjen e tri pikëve.

Gjithçka do të nisë me Ruçin në portë, që ka dhënë garanci në ndeshjet e fundit, duke marrë disa herë vendin e shpëtimtarit të Skënderbeut.

Para tij, një rreshtim i ri me katër mbrojtës që do të përbëhet nga Frashëri në krahun e djathtë dhe Zguro në të majtë. Dyshja e qendrës në këtë takim do të formohet nga Prençi dhe Rapa.

Një mbrojtje e stabilizuar dhe me shumë eksperiencë, nga e cila Gvozdenoviç ka kërkuar jo vetëm balancë në fazën defensive, por edhe ndihmesë në presingun që ekipi do të bëjë.

Mesi i fushës do t’i rikthehet rreshtimit me tre lojtarë. Me një “ekran” që do të jetë përgjegjësi e Aliit dhe dy mesfushorë disi më të avancuar, që në këtë rast do të jenë Dean Liço dhe Rei Pecani. Për të kaluar me pas te sulmi, atje ku ka vetëm një balotazh për momentin.

Temitope është i sigurt nga minuta e parë në repartin e avancuar, e së bashku me të edhe shkodrani Belajdi Pusi. Ky i fundit ka lënë pas problemet fizike dhe pritet të jetë normalisht në fushë për këtë takim.

Balotazhi i vetëm është ai mes Gresild Likës dhe ganezit Abubakar. Një prej tyre do të ketë fanellën e titullarit, ndërsa tjetri do ta nisë nga stoli.

Kur mbetet edhe një seancë nga mbyllja e përgatitjeve, duket se Lika është më i avantazhuar për ta nisur nga minuta e parë. Korçarët janë të karikuar për të marrë tri pikët.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"