Gvozdenoviç e do festë: Të sigurojmë titullin me Besën, dua ta mbyll pa humbje ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2023 | 12:40

Gvozdenoviç e do festë: Të sigurojmë titullin me Besën, dua ta mbyll pa humbje ndeshjen

Skënderbeu mbyll sot përgatitjet për ndeshjen e së dielës në kampionat ndaj Besës në Korçë, që mund ta kurorëzojë ekipin bardhekuq kampion të Kategorisë së Parë, një javë para mbylljes së kampionatit.

gvozdenovic

Në këto kushte, me synimin për ta përfunduar me sukses këtë sezon, trajneri Ivan Gvozdenoviç kërkon sforcon finale nga të tijtë. Në prononcimin e dhënë për gazetën, serbi i pankinës ka kërkuar përqendrim maksimal në këtë takim të fundit në Korçë, pavarësisht se objektivi primar është arritur. Ai ka bërë thirrje për mbështetje në ndeshjen ndaj Besës, për ta kthyer në festë mbylljen e këtij takimi.

“Jemi të përqendruar në dy javët e fundit që kanë mbetur për këtë sezon, pasi kemi ende objektiva për të përmbushur. Jemi duke menduar për ndeshjen ndaj Besës, që është kyçe për ne për të siguruar matematikisht vendin e parë në kampionat. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për këtë takim dhe për fat të mirë kemi të gjithë grupin në dispozicion. Lojtarëve u kam kërkuar përqendrim në dy ndeshjet e fundit. Le të mbyllim me sukses këtë pjesë të kampionatit dhe të respektojmë maksimalisht garën, ashtu siç i ka hije Skënderbeut.

Objektivi im është mbyllja me sukses dhe pa humbje e këtij kampionati, që kur unë kam ardhur në drejtimin e ekipit. Le ta kthejmë në festë këtë fundjavë dhe ta mbyllim si kampionë”, deklaroi Gvozdenoviç për “Panorama Sport”. Për ndeshjen e së dielës ndaj Besës, bardhekuqtë kanë mundësinë të hedhin në fushë lojtarët më në formë, teksa do të kërkohet fitorja për t’u shpallur matematikisht kampionë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"