Gurishta premton hakmarrjen: Me Teutën këtë herë do të jetë ndeshje tjetër
Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, u bë protagonist me golin e katërt në fitoren 5-3 në Laç. Ai e kishte parandjerë thyerjen e tersit në këtë fushë, teksa për “Panorama Sport” kishte deklaruar para ndeshjes se shkodranët do të dilnin me tri pikë. Mbrojtësi i djathtë i kuqebluve, që në Laç luajti në qendër të këtij reparti, foli sërish për gazetën duke prekur jo vetëm atë që ndodhi në javën e parë të kampionatit, por edhe ndeshjen e së shtunës ndaj Teutës. Gurishta beson se këtë herë Vllaznia do të fitojë me kampionët në fuqi dhe një shtysë e madhe sipas tij do të jenë tifozët në “Loro Boriçi”. Lideri i Vllaznisë thekson se këtë sezon skuadra është pretendente e padiskutueshme për titull. Ai ëndërron që me shiritin në krah, pas asaj kupe të fituar pak muaj më parë, tani të shpallet edhe kampion.
Erdenis, e nisët kampionatin me një fitore në Laç, aty ku prej 7 vitesh radhazi keni vuajtur shumë për të dalë me pikë. Cila ishte ndjesia?
E kam thënë edhe përpara ndeshjes që do të tentojmë të marrim maksimumin dhe do ta fillonim mbarë kampionatin. Ashtu ndodhi dhe normalisht që është një trepikësh me shumë vlera dhe i merituar. Vërtet Vllaznia kishte 7 vite që nuk fitonte në Laç, por asnjëherë në këto shtatë sezonet e fundit nuk ka qenë pretendente, ndërsa tani jemi rikthyer me synime madhore. Le të shikojmë pak statistikat e 4 ndeshjeve të fundit, ku kemi 3 fitore dhe një barazim ndaj Laçit.
Përveç fitores, këtë herë shënuat edhe ju ndaj kurbinasve. Diçka e veçantë në start?
Sigurisht që goli pa fitoren s’do kishte asnjë vlerë. E rëndësishme është që të fitojë skuadra, por kur shënon dhe merr atë që do, atëherë gëzimi është dyfish më i madh.
Vllazninë e shikonin pretendenten kryesore për kampion këtë sezon apo është ende herët për të folur?
Që Vllaznia është pretendente, kjo nuk diskutohet, por gjithsesi është herët të flasim sepse shumë ekipe janë forcuar. Unë mendoj se do të jetë një kampionat shumë i fortë deri në fund.
Java e dytë ju vendos përballë Teutës. Pas asaj humbjeje në Superkupë është momenti për revansh në Shkodër?
Do jetë një ndeshje tjetër këtë herë. Të dyja ekipet vijnë pas fitoreve në javën e parë, por normalisht që ne do të kërkojmë trepikëshin sepse luajmë në fushën tonë dhe kemi tifozërinë një armë plus.
Teutën e njihni mirë, ku mendoni se mund të bëni diferencën ndaj kësaj skuadre?
Teuta është po ajo skuadër e vitit të kaluar. Një skuadër cinike, që di të marrë maksimumin në momente të caktuara. Por, besoj se ditën e shtunë në Shkodër takimi do të flasë në favorin tonë.
Besoni te fitorja?
Objektivi është i njëjti. Në çdo ndeshje ne do të kërkojmë që të marrim maksimumin e pikëve.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"