Gurë anësorit, Kastrioti nuk thyen as… 9 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2015 | 16:34

Gurë anësorit, Kastrioti nuk thyen as… 9 lojtarë

Beselidhja-Kastrioti 3-0, moment dyluftimi gjate ndeshjesKASTRIOTI-MAMURRASI 2-2
GOLAT: Djarmati 64′, Dosti 86’/ Tahirllari 1′, Fuçia 9′
KASTRIOTI: Giljen, Peqini, Kule, Dodaj (Djarmati 46′), Kehinde (Dosti 82′), Alikaj, Malo, Koreshi, Lekaj, Raboshta, Nuri (Caca 46′). Trajner: E.Plori MAMURRASI: Cali, Vocaj, Sela, Shima, Dimo, Duka (Ago 58′), Sulejmani, Njerkaj, Fuçia (Xhafka 56′), Tahirllari, Çaushaj (Kozma 80′). Trajner: B.Malaj KARTONË TË VERDHË: Kule 90’/ Shima 38′, Dimo 17′, Kozma 94′ KARTONË TË KUQ: Tahirllari 28′, 44′(2v), Cali 58′ GJYQTARË: B.Breshanaj, B.Mesi, R.Dobruna (Tiranë) VËZHGUES: Sopot Resmeliu (Elbasan) DELEGAT: Agim Mone (Tiranë

Gurë ndaj anësorit, tension, akuza, ndërprerje e ndeshjes, dy kartonë të kuq dhe katër gola. Kastrioti-Mamurrasi prodhoi dje gjithçka që mund t’i shkojë një derbi mes skuadrave të veriut që synojnë të ngjiten në Superiore. Pas fitores në javën e parë, krutanët ndalen në fushën e tyre në një barazim 2-2 nga mamurrzakët. Ndeshja Loja do të nisë me gol. Shima shkelmon topin nga qendra për te Çaushaj që kroson bukur në zonë dhe aty është Tahirllari që shënon, 0-1 kur kanë kaluar vetëm 28 sekonda lojë. Një pjesë e mirë e tifozëve nuk kanë kuptuar se miqtë kanë kaluar në avantazh, duke kujtuar se uniforma e kuqe i përkiste ekipit të tyre. Por surpriza nuk përfundon këtu, pasi në minutën e 9-të është Fuçia që shënon golin e dytë për Mamurrasin. Vendësit të kapur në befasi shtojnë forcat në sulm dhe kërkojnë të shënojnë. Vendësit krijojnë disa raste, por nuk finalizojnë. Në minutën e 44-t, miqtë mbeten me dhjetë futbollistë, pasi Tahirllari merr kartonin e dytë të verdhë. Me fillimin e fraksionit të dytë, Plori hedh në fushë Djarmatin dhe Cacën. Në të 58-n, portieri mik Cali në tentativë për të larguar topin jashtë zone, e prek atë me dorë dhe gjyqtari e ndëshkon me karton të kuq. Mamurrzakët protestojnë, por nuk ka kthim mbrapa. Në momentin që vendësit bëhen gati të ekzekutojnë goditjen e dënimit, tifozët gjuajnë me gurë arbitrin anësor Dobruna. Ky i fundit afrohet te bankinat dhe të tre gjyqtarët tërhiqen për rreth katër minuta, duke u konsultuar me drejtuesit e klubit krutan dhe delegatin e ndeshjes. Pas konsultimeve vendoset që të rinisë takimi. Nga goditja e dënimit është Djarmati që tregohet i saktë dhe shënon, 1- 2. Vendësit marrin zemër, në një kohë që miqtë janë me dy lojtarë më pak në fushë. Loja nervozohet edhe më shumë dhe gjyqtari Breshanaj akordon shumë faulle për krutanët, në një kohë që miqtë protestojnë. Lojtarët e Kastriotit sulmojnë me forca të shumta në portën e Agos, ndërsa e gjithë skuadra e Mamurrasit tashmë ndodhet në zonën e saj në ruajtje të rezultatit. Megjithatë, në minutën e 78-të, miqtë kanë shansin të shënojnë golin e tretë pas kundërsulmit të shpejtë me Çaushaj, por ky i fundit nuk finalizon si duhet. Trajneri Plori hedh në fushë edhe kartën e fundit, Dosti. Dhe ky i fundit do të rezultojë një zgjedhje e goditur, pasi arrin të barazojë rezultatin, pas vetëm katër minutash që ishte në fushë. Rezultati nuk ndryshon as në shtesë, pavarësisht presionit të madh nga vendësit për të gjetur golin e avantazhit. Një barazim që nuk kënaqi asnjë prej skuadrave.

Plori: Jam i zhgënjyer nga lojtarët
Trajneri i Kastriotit, Elvis Plori, pas ndeshjes së djeshme u shpreh: “Pjesa e parë është dominuar nga miqtë, madje jam befasuar nga pësimi i golit të shpejtë. Futbollistët e Kastriotit nuk kanë ditur të mbrohen, duke u hutuar në disa raste ku edhe janë shfrytëzuar mirë nga miqtë. Në pjesën e dytë, pas disa ndryshimeve, loja ka pasur rritje cilësore, duke arritur dhe barazimin. Nuk e prisja këtë formë të dobët nga futbollistët dhe rasti duhet analizuar, ndonëse jemi në hapat e parë të këtij kampionati. Do të diskutojmë në lidhje me këtë takim. Tashmë duhet që të mendojmë për sfidën e radhës”.

Ndreca: Nuk luhet futboll me këta gjyqtarë
Presidenti i Mamurrasit, Ded Ndreca, ka shpërthyer ndaj gjykimit të ndeshjes së djeshme. Në mungesë të trajnerit Agustin Kola për arsye personale, Ndreca ka ndihmuar dje stafin duke dhënë udhëzime. “Me këta lloj gjyqtarësh nuk mund të luhet futboll, jam tërësisht i zhgënjyer nga arbitrimi. Unë do të protestoj në FSHF për rastin në fjalë, pasi ky arbitër ishte i vendosur për t’i dhuruar barazimin Kastriotit. Ekipi i Mamurrasit ka luajtur me shpirt dhe kjo është vënë re nga të pranishmit me dy golat e shënuar. Ndonëse dhe pa trajnerin në pankinë, djemtë kanë ditur të menaxhojnë lojën, duke iu dhënë mësim vendësve”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"