Guindo si Xhon Sina, Kolela takon presidentin para sfidës/ Lojtarët “çmenden” me vonesat e gjyqtarëve, ja pikantet e sfidës Laçi-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2023 | 22:00

Guindo si Xhon Sina, Kolela takon presidentin para sfidës/ Lojtarët “çmenden” me vonesat e gjyqtarëve, ja pikantet e sfidës Laçi-Partizani

“Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes mes Partizanit dhe Laçit, e përfunduar me triumfin 3-2 të kurbinasve.

partizani laci

*Para ndeshjes trajneri Kolela vizitohet nga drejtuesit e klubit, me në krye presidentin Gazment Demi. Pasi përshëndeten, Demi, bashkë me bashkëpunëtorët e tij qëndrojnë për disa çaste duke biseduar me trajnerin. Të pranishëm ishin edhe drejtori sportiv, Elton Marini, si dhe presidenti i nderit, Redi Popesku.

*Loja nis me faulle të shumtë në të dyja anët, por më së shumti nga Partizani. Kristian Mba nuk arrin të kontrollojë forcën e tij dhe shkakton tri ndërhyrje të njëpasnjëshme të gabuara.

*Në minutën e 41-të Laçi shënon golin e barazimit. Ka dyshime për një pozicion jashtë loje të Guindos. Xhaja kërkon konfirmimin e VAR-it, që vonon tej mase marrjen e vendimit. Lojtarët e të dyja skuadrave acarohen me këtë vonesë rekord dhe bëjnë thirrje nga pankinat për të mësuar se çfarë po ndodh.

*Vonesa e konfirmimit të golit të Laçit bën që pjesa e parë të zgjasë për një kohë rekord. Fërshëllima e Xhajës u dëgjua pas rreth 53 minutash.

*Numër i kënaqshëm spektatorësh në stadiumin e Laçit. Tribuna qendrore është thuajse e mbushur, teksa ka prani të konsiderueshme edhe në atë përballë. Në stadiumin e kurbinasve ishin të pranishëm rreth 1800 spektatorë, teksa nuk mungoi as prania e ultrasve të Partizanit në këtë ndeshje.

*Guindo feston si Xhon Sina, duke lëvizur dorën para fytyrës. Ish-luftëtari i “Wrestling” e bënte këtë gjest në momentin kur hidhte pa ndjenja kundërshtarët dhe ishte gati të niste numërimi mbrapsht.

*Ujka mbetet i dëmtuar dhe e ka të vështirë të ecë. Matondo nxiton ta ndihmojë dhe e mban në njërin krah duke e ndihmuar të dalë nga fusha.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"