Guardiola shqetësohet për gjendjen fizike të Haland, trajneri spanjoll i vendos sulmuesit “roje”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 16:42

Guardiola shqetësohet për gjendjen fizike të Haland, trajneri spanjoll i vendos sulmuesit “roje”

Mançester Siti ka dër guar një pjesëtar të stafit të vet mjekësor me Halandin, ndërsa ai do të kujdeset për gjendjen fizike të sulmuesit gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Mario Pafundi, një prej fizioterapistëve të “Qytetarëve”, erdhi në “Etihad” pas uljes së Pep Guardiolës në stol dhe që kur Haland u transferua në Mançester këtë verë, ai është kujdesur për gjendjen fizike të 22-vjeçarit.

GUARDIOLA HALAND 1

Lajmin e konfirmoi edhe vetë trajneri i Norvegjisë, Stejl Solbaken, në konferencën për shtyp përpara ndeshjeve të Ligës së Kombeve kundër Sllovenisë dhe Serbisë.

Solbaken tha se Pafundi do të qëndrojë pranë tij. Ai do të kujdeset që Haland të ndjekë rutinën e përditshme që ka në Mançester edhe gjatë grumbullimit me kombëtaren.

Kampionët e Premier Ligës nuk e bëjnë diçka të tillë vetëm me numrin 9, por e kanë bërë në të shkuarën edhe me De Bryjnen apo Agueron.

Guardiola është i shqetësuar sepse sulmuesi ka vuajtur nga dëmtimet sezonin e shkuar dhe Siti po e monitoron me shumë kujdes progresin e tij fizik, duke menduar se prezenca e fizioterapistit me Norvegjinë do t’i mundësojë sulmuesit që të ruajë gjendjen e tij fizike.

Guardiola e ka aktivizuar atë titullar në 9 ndeshje zyrtare këtë sezon, ndërsa sulmuesi ka shënuar 14 gola në 10 ndeshje.

“Duke qenë se ne grumbullojmë 26-27 lojtarë çdo herë, janë shumë për vetëm dy fizioterapistë. Erling erdhi me një sugjerim të shkëlqyer dhe ai ka një fizioterapist shumë të mirë. Nuk është rastësi që ai do të vijë nga Siti, por ai do të punojë edhe me lojtarët e tjerë, nuk ka ardhur këtu vetëm për Erlingun. Unë u shqetësova pak në ndeshjen kundër Uolvesit kur Haland po vraponte edhe kur fitonin 3-0 dhe ulërinte se nuk po i pasonin. ‘Qetësohu Erling’, bërtita përpara TV”, tha Solbaken.

Ndonëse është vetëm 22 vjeç, Halandi mund të mbajë shiritin e kapitenit në ndeshjen kundër Sllovenisë të shtunën në rast se Martin Odegard nuk arrin tejkalojë dëmtimin. “Ai është një prej zëvendëskapiteneve të mi dhe është një lojtar skuadre”, shtoi Solbaken.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"