Guardiola provokon Manenë para duelit direkt: është talent në simulim, shkojmë në “Anfield” për t’i mundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 12:23

Guardiola provokon Manenë para duelit direkt: është talent në simulim, shkojmë në “Anfield” për t’i mundur

Pep Guardiola vlerëson përpjekjen e Mançester Sitit të tij për të mos u dorëzuar ndaj një skuadre, që mbrohej me çdo forcë në fushë si Sauthemptoni.

guardiola

“Ne bëmë gjithçka. Ishte shumë e vështirë që të sulmoje, kur ata mbrohen me 11 vetë. Ne bëmë gjithçka mundëm në fund dhe intensiteti ynë dhe lojtarët u shpërblyen. Bëmë një përmbysje të bukur. Të gjithë luajnë siç ne duam të luajnë. Kemi lojtarë të klasit botëror, janë futbollistë të shpejtë. Ishte detyra jonë që ta mundnim Sauthemptonin dhe e bëmë. Nuk ka të bëjë me atë që Sauthemptoni bën apo luan, por me mënyrën se si ne reaguam ndaj planit të tyre.

Na u desh të bënim gjithçka. Na u desh të rrisnim ritmin që na duhej në sulm në çdo kuptim të fjalës, që nga mënyra se si nxirrnim topin nga rrjeta, deri te mënyra se si ekzekutonim rivëniet anësore apo goditjet e këndit”, deklaroi trajneri i kampionëve të Anglisë, që nuk ia kursen një thumb Sadio Manesë, kundërshtarit të tij të ardhshëm, i ndëshkuar për simulim në ndeshjen kundër Aston Vilës: “Ndonjëherë ai simulon, ndonjëherë ka këtë talentin për të shënuar gola të pabesueshëm në minutat e fundit. Ai është një talent. Javën e ardhshme ne do të shkojmë në ‘Anfield’ dhe përpiqemi t’i rivalizojmë”.

Angelinjo – Ishin 90 minutat e tij të para në Premier Ligë dhe për mbrojtësin e majtë të Sitit, Angelinjon, ishte me të vërtetë emocionuese. “Patëm një ndeshje të vështirë ndaj Sauthemptonit. Na u desh të luftonim deri në fund. Ne jemi një skuadër e fortë dhe ia dolëm. Kemi lojtarë cilësorë dhe e dinim se rastet do të vinin”, tha spanjolli, duke komentuar edhe golin e kolegut të tij, Kajl Uoker: “Kajl bëri një ndeshje shumë të mirë. Ai dha një asist dhe shënoi një gol. Çfarë mund të kërkosh më shumë? Ndihem mirë për 90 minutat e mia të para dhe shpresoj që shumë të tjera të kem përpara. Kemi një javë të vështirë. Fokusi është ndeshja e radhës”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"