Guardiola nuk i zë besë ekipit të Murinjos: Mundën Juven, Junajtid është i frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2018 | 12:12

Guardiola nuk i zë besë ekipit të Murinjos: Mundën Juven, Junajtid është i frikshëm

Marrëdhënia mes tyre ka qenë fantastike në kohët e Barcelonës, përpara se dy sezone më parë, Dani Alvesh, i cili i ishte premtuar Mançester Sitit, pasi la Juventusin, “tradhtoi” trajnerin spanjoll duke zgjedhur PSGnë. Gjithsesi, nëse vlerësimi për njëri-tjetrin nuk është zeruar kurrë, ndoshta Pep Guardiola nuk është se ka dalë në deklarata për të zbuluar ndonjëherë ndjesinë e tij në lidhje me ndryshimin e programimit nga ana e mbrojtësit brazilian, por ndërkohë përgjigjes së Dani Alveshit se “stërvitjet me Guardiolën janë më të kënaqshme sesa seksi”, Pep i është përgjigjur me ironi, madje duke i rezervuar një thumbim në të njëjtën përgjigje edhe Zlatan Ibrahimoviçit: “Alvesh ka thënë realisht kështu? Atëherë unë i përgjigjem se preferoj seksin…, – qesh spanjolli, i cili më pas thumbon. – Tani që dëgjova këtë fjalë, më vjen në mendje sesi ka mundësi që kaq shumë lojtarë e dashurojnë mënyrën time të trajnimit?!

Gjithsesi, unë përveç atyre që më vlerësojnë, shoh edhe një listë shumë të gjatë njerëzish që e mendojnë ndryshe. Për shembull, në Suedi nuk u pëlqen shumë mënyra ime… Shpesh kjo ndodh kur disa lojtarë nuk luajnë rregullisht, ndaj nuk mund të jenë fansat e mi. Gjithsesi, unë vazhdoj stërvit ende që të tentoj t’i bind ata, edhe pse kjo herë ndodh dhe herë të tjera jo”.

guardiola

DERBI ME JUNAJTID

Gjithsesi, pas humorit të krijuar në sallë nga deklarata e bërë nga Dani Alvesh, Pep Guardiola u fokusua te derbi i së dielës pasdite, me Mançester Junajtid, me trajnerin e Sitit, i cili paralajmëron se nuk do të jetë e lehtë. “Të gjitha sfidat derbi janë speciale. Në Spanjë janë shumë më të mërzitshme sesa këtu në Angli, por në këtë vend gjithçka ka lidhje me futbollin është speciale, ndaj edhe sfida jonë me Junajtid do të jetë spektakolare. Dueli me Murinjon mbyll çështjen e titullit? Jo, absolutisht. Ne të dy (Guardiola e Murinjo) jemi djem të mirë. Më shumë sesa ju mendoni.

Jemi shumë më mirë sesa mund të dukemi nga televizioni apo nga kjo distancë. Ju garantoj. Dhe për sa i përket sfidës mes nesh, unë di të them se nuk vendos asgjë, as për ne dhe as për Murinjon. Jemi vetëm në nëntor dhe sezoni është ende shumë i gjatë. Unë mendoj se deciziv do të jetë derbi i kthimit në ‘Old Trafford’. Siti favorit sepse luan më mirë? Unë di të them se asnjë skuadër nuk e kontrollon dot lojën për 90 minuta. Pastaj, ashtu si ne, edhe Junajtid është në një moment shumë pozitiv. Të shkosh të fitosh në Torino, kundër Juventusit, nuk është se e bëjnë të gjithë, sidomos në këtë sezon. Kjo tregon që Junajtid është shumë i fortë dhe lojtarët e tyre janë tepër agresivë edhe kur nuk janë në kontroll të topit. Prandaj, do të jetë një ndeshje për t’u luftuar”, përfundoi Guardiola.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"