Guardiola: Mezi po presim të kthehemi, por me kujdes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 23:25

Guardiola: Mezi po presim të kthehemi, por me kujdes

Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, është i kënaqur me gjendjen fizike në të cilën e ka gjetur skuadrën, ndërsa klubet e Premier Ligës pritet të votojnë sot për rinisjen e stërvitjes me kontakt fizik. Nëse faza 2 miratohet, atëherë shanset për të rinisur kampionatin në mesin e muajit qershor shtohen. “Qytetarët”, të cilët kanë edhe 10 javë për të luajtur, renditen -25 pikë pas Liverpulit kryesues.
guardiola
“Lojtarët janë rikthyer në formë shumë të mirë. Mendoj se mezi po presin që të rikthehen dhe të stërviten përsëri dhe të bëjnë atë që u pëlqen të bëjnë. Ne ndjekim rregullat, protokollin. Duhet ta respektojmë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk bëjmë asgjë speciale”, tha trajneri katalanas për televizionin e klubit.

Ai përfitoi nga rasti për të përshëndetur edhe punën e mjekëve gjatë pandemisë dhe u bëri thirrje tifozëve që të tregohen të duruar për rinisjen e kampionatit. “Njerëzit specialë janë doktorët, infermierët, shkencëtarët, sanitarët. Ata vendosin jetët e tyre në rrezik për të shpëtuar tonat. Kur është një situatë e veçantë në botë, duhet të përshtatesh. Mendoj se të gjithë tifozët në të gjithë botën po presin për të parë futboll. Ne duam të rikthehemi, por tani prioritet janë të tjera gjëra. Mesazhi është ende, bëni kujdesi dhe kur të jetë gjithçka e mundur, ne do të rikthehemi. Mendoj se do të luajmë pa ta, por me shpresën që t’i rikthehemi rutinës. Por tani gjëja më e rëndësishme është të ndjekim udhëzimet. Nëse ata thonë përdorni maskë, qëndroni në shtëpi, distancim social… ne duhet të bëjmë kështu. Sepse ka shumë njerëz në sistemin shëndetësor që po rrezikojnë jetët e tyre për të shpëtuar tonat”.

Një datë për rinisjen e 92 ndeshjeve të fundit të Premier Ligës mund të vendoset në fund të kësaj jave. Premier Liga mori të hënën dritën jeshile nga qeveria për të rinisur stërvitjen në grupe lojtarësh deri në 12 vetë dhe me kontakt fizik. Futbollistët dhe trajnerët patën shansin për të diskutuar shqetësimet e tyre në lidhje me fazën 2 në videokonferencën që mbajtën me Premier Ligën ditën e djeshme. Sot, klubet do të votojnë nëse do ta bëjnë këtë hap apo jo. Shumica e klubeve sigurisht që janë pro lehtësimit të masave të stërvitjes, e cila do t’i hapte rrugën projektit “Rinisje”, i cili ka tri data në axhendë: 12 qershor, 19 qershor dhe 26 qershor.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"